Nga Sebastian Zonja

Kancelari gjerman Fridrih Merc tha së fundmi se shteti i mirëqenies sociale është një kapitull i mbyllur. Ai solli si shembull rastin e gjigantit automobilistik Volkswagen, duke treguar se fitimet e tij ranë me 36% këtë tremujor. “Kemi probleme strukturore ekonomike; nuk jemi më konkurrues në tregjet globale”, theksoi kancelari.

Paradoksalisht, vendi me konkurrencën më të fortë të brendshme është aktualisht Kina. Konglomeratet kineze ndodhen në një garë të ashpër për mbijetesë dhe dominim. Kush lexon për ekonominë kineze e kupton se atje po zhvillohet një “kasaphanë” biznesi. Amerika e ndjek pas, ndërsa Evropa, duket se po merr masa. Plani Dragi, i prezantuar pak kohë më parë për ekonominë e kontinentit, synon ta gjallërojë atë.

Demografikisht, Evropa rrezikon të pësojë fatin e Japonisë brenda dy ose tre dekadave të ardhshme. Teknologjikisht është shumë pas Amerikës dhe Kinës, ndërsa ushtarakisht nuk ka kapacitete të mjaftueshme përballë Rusisë. Periudha e bukur e shpenzimeve të mëdha për shëndetësinë dhe pensione të majme po merr fund.

Me gjasë, tani do të shpërthejnë debatet: e majta do të kërkojë fajtorët për varfërimin e popullatës, ndërsa e djathta do të shqyrtojë mënyrat se si të pasurohen kombet. Megjithatë, evropianët nuk duan të amerikanizohen, edhe pse vetëm Amerika ka treguar deri më sot se si mund të rritet pasuria dhe të ruhet një demokraci e qëndrueshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *