Nga Klodi Stralla
Për ata që e njohin pak historinë, po kujtoj se deri në vitin 1860 gadishulli Apenin (italian) ishte politikisht një mozaik shtetesh të vegjël e të përçarë, që grindeshin me njëri-tjetrin. Në veri-perëndim ishte Mbretëria e Sardenjës (Piemonti), në veri-lindje Toskana, në qendër Shteti i Papatit dhe në jug Mbretëria e Napolit dhe Siçilisë. Rajonet e Milanos dhe Venecias ishin pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze të Habsburgëve. Ndonëse flisnin të njëjtën gjuhë (italisht) dhe praktikonin të njëjtin besim fetar (katolik), historia (interesat e fqinjëve) i kishte dënuar të qëndronin të përçarë dhe jo të bashkuar, siç ishte dëshira dhe interesi i popullit italian.
Fillimisht me rrugë revolucionare e ushtarake, përmes Mazzinit e Garibaldit, dhe më pas me diplomaci largpamëse, përmes Camillo Cavour-it, populli italian u bashkua politikisht në një shtet të përbashkët, me mbret Viktor Emanuelin II (dinastia e Savojës) dhe kryeministër të parë Camillo Cavour-in e Piemontit. Kjo ngjau më 17 mars 1861. Prej asaj date, kombi italian i bashkuar u bë një prej Fuqive të Mëdha evropiane.
Edhe shqiptarët sot, si italianët e 160 viteve më parë, janë të shpërndarë në pesë shtete. U deshën përpjekjet titanike të atdhetarëve tanë më të shquar (Rilindësve), si dhe interesat e Fuqive të Mëdha (ekuilibrat), që në vitin 1912 ata të krijonin shtetin e tyre, ndonëse shumë të cunguar nga hapësira ku jetonin (Kosova dhe Çamëria u lanë jashtë). Dy luftërat botërore të shekullit XX, gjatë të cilave territori shqiptar u shkel, pa dëshirën e tyre, nga palët ndërluftuese, e prishën edhe atë pak punë të mirë që ishte bërë pas Pavarësisë. Ndonëse shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore u bashkuan në një shtet të përbashkët (1941–1944), ky bashkim ishte i përkohshëm dhe u bë shkas që ata të binin nën një diktaturë totalitare komuniste, e cila fatkeqësisht zgjati një gjysmë shekulli.
Sot kemi mbërritur në një realitet të ri: është krijuar dhe po konsolidohet shteti i pavarur i Kosovës; shqiptarët e Maqedonisë janë zgjuar politikisht; ata të Malit të Zi përcaktojnë aty qeverinë; ndërsa ata të Serbisë (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) vlojnë nga dëshira për t’iu bashkangjitur kombit. Fatkeqësisht, shteti amë, Shqipëria londineze, që duhet të luante rolin e Piemontit italian për bashkimin e kombit, jo vetëm që është larg këtij misioni përbashkues, por përkundrazi ka sjellë dhe sjell shumë pengesa, deri edhe duke flirtuar me fqinjët armiqësorë, për të siguruar dhe mbajtur gjatë pushtetin në Tiranë.
Sipas meje, këtë rol përbashkues “piemontes” duhet ta luajë Kosova. Ajo ka qenë dhe është më atdhetare, sepse ka qenë e diskriminuar nën një shtet tjetër (Serbia) që ka dashur ta shfarosë; pra asaj i ka munguar shteti dhe, për këtë arsye, ia di më shumë vlerën atij. Ajo është më e interesuara, sepse nga mangësia e territorit dhe burimeve nuk mund të rrojë e veçuar; ajo është edhe më e dëshiruar për bashkimin, sepse ka derdhur më shumë gjak dhe ka bërë më shumë sakrifica për kombin.
Strategjia se “të gjithë shqiptarët do të takohen një ditë në Bruksel (BE-ja)” janë llafe pazari, utopi, dhe propagandohen nga ata që nuk e dëshirojnë bashkimin, sepse do të mbeteshin në minorancë në Republikën e Shqipërisë së bashkuar. Kjo strategji “evropianiste” ka qenë dhe është historikisht edhe synimi dhe dëshira e fqinjëve tanë, të cilët nuk e duan bashkimin e shqiptarëve dhe derdhin miliona për të mbajtur në Tiranë qeveri të tilla “kuislinge”.
Një komb i bashkuar e rrit fuqinë; fuqia rrit pavarësinë; pavarësia siguron mirëqenie dhe dije. Kjo është abc-ja e çdo përparimi. Sigurisht, nuk është e lehtë: së pari duhet dëshiruar dhe pastaj, nëse është e nevojshme, duhet paguar edhe çmimi.

