Argjentina shkon në botërorin e Katarit si një nga favoritet për fitimin e trofeut. Të udhëhequr nga Lionel Skaloni në pankinë dhe nga Lionel Mesi në fushë, argjentinasit kërkojnë të lënë shenjën e tyre në turneun më të madh futbollistik. Fituesit në fuqi të Kupës së Amerikës dhe të Superkupës së Botës, pritet të jenë një nga rivalët më të vështirë për t’u mundur në këtë botëror, nisur jo vetëm nga kualiteti në organikë, por para së gjithash nga forma e jashtëzakonshme që skuadra ka treguar kohët e fundit. Kjo Argjentinë, më shumë se kualitetet, forcën kryesore ka frymën e grupit. Tekniku Skaloni publikoi listën e 26 lojtarëve të grumbulluar, ku secili repart ofron alternativa cilësore. Potenciali më i madh shpaloset në repartin e sulmit.
Porta pritet t’i besohet Emiljano Martinezit. Portieri i Aston Vilës duket se ofron më shumë garanci se dy alternativat, Ruli dhe Armani. Mbrojtja, reparti problematik dhe i shumëkritikuar në botërorët e fundit, kësaj here duket se ofron më tepër garanci. Titullar i padiskutueshëm në qendër të këtij reparti pritet të jetë Lisandro Martinez i cili ka bindur me paraqitjet e tij si me kombëtaren ashtu dhe me Mançester Junajtid. Konkurenca për të formuar dyshen e qendrës me Martinez pritet të jetë mes veteranit Otamendi dhe Romeros të Totenhemit.
Molina dhe Montiel rivalizojnë për krahun e djathtë të mbrojtjes. Dy anësorët e Seviljes dhe Atletikos së Madridit preferohen më shumë nga Skaloni për faktin se ndihmojnë shumë fazën sulmuese, në krahasim me Foith që jep më shumë garanci në prapavijë.
Taljafiko dhe Akunja rivalizojnë për një pozitë në linjën e majtë të mbrojtjes. Akunja mund të luajë po ashtu edhe në mesfushë.
Reparti i mesfushës mund të shohë treshen Paredes-De Pol-Papu Gomes si titullarë. Rodrigez i Betisit dhe Fernandez i Benfikës mbeten dy alternativa të vlefshme pasi kanë ditur të bëjnë mirë me klubet e tyre respektive dhe kur kanë patur minuta në kombëtare.
Sulmi ofron artilerinë e rëndë argjentinase. Në këtë repart, Lionel Skaloni posedon një thesar të vërtetë. Treshja e sulmit Mesi-Di Maria-Lautaro ka qenë inspiruese në rritjen dhe sukseset e fundit për Argjentinën. Treshja Alvarez-Dibala-Korrea presin shanset e tyre për të lënë gjurmë në Katar. Julian Alvarez mund të jetë një nga zbulimet e këtij botërori, pasi 19-vjeçari ka treguar cilësi prej bomberi me golat e shënuar për Mançester Sitin. Sulmi i frikshëm argjentinas do të jetë kërcënimi më i madh për ekipet kundërshtare.
Mbi të gjitha, motivuese për të besuarit e Skalonit do të jetë dhe forma e Lionel Mesit në këtë sezon. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë duket i rilindur, megjithëse në moshën 35-vjeçare. Kur Mesi është në formë, kundërshtarët duhet të shpikin mënyra për ta ndalur.
Dallimi me botërorët e kaluar është se kësaj herë Argjentina nuk shkon në Katar si një fabrikë talentesh që u mungon qartësia taktike dhe harmonia në fushë. Kjo Argjentinë shkon në botëror si ekip, si grup me vetëbesimin dhe nivelin më të lartë, ndoshta që nga epoka e Maradonës.
Argjentina është pjesë e grupit C bashkë me Poloninë, Meksikën dhe Arabinë Saudite. Misioni i
Leo Mesit me shokë fillon më 22 nëntor, ku përballë do të kenë Arabinë Saudite.