Opinion nga Klodi Stralla

Në të dy Luftrat botërore të shekullit të kaluar, territori i shtetit shqiptar u okupua nga forcat e palëve ndërluftuese, në funksion të strategjive të tyre të luftës. Askush nuk i pyeti shqiptarët për këtë, ndonse Shqipëria e princ Widit ishte pranuar dhe garantuar nga Fuqitë e Mëdha si vend neutral dhe po ashtu shteti i Ahmet Zogut ishte antar i Lidhjes të Kombeve, pra një vend sovran. 

Çfarë duhet të bënin shqiptarët, si duhet të silleshin ata përballë një realiteti të tillë në terren, për të ruajtuar, aq sa të mundnin, mbijetesën e tyre si komb? 

Në të tilla raste, jo vetëm për shqiptarët por për çdo komb, dy janë obsionet e sjelljes të vendasve ndaj pushtuesve te paftuar: 

1 – Nëse vendasit nuk pranojnë të bashkëpunojnë me pushtuesin, aq më keq t’i kundërvihen atij me armë, ai (pushtuesi) në kushtet e luftës vendos një të Plotfuqishëm ushtarak, me kompetenca të pakufizuara dhe vendi konsiderohet si “zonë pushtimi”. Automatikisht veprojnë ligjet e luftës.

2 – Nëse vendasit tregohen bashkëpunues, është edhe në interes të pushtuesit, t’u japë atyre një farë Autonomie të kontrolluar, për të lehtësuar barrën e vet të okupimit.

Në të dy rastet, sipas meje, shqiptarët duke pranuar opsionin e dytë bënë zgjedhjen më të favorshme për interesat e tyre kombëtare. 

Paradoks është vetëm vlerësimi që u bëhet atyre nga historiografia zyrtare, që atdhetarët korçarë të 1916-ës, bashkëpunues me francezët, i ngre në pjedestal, ndërsa atdhetarët e 1943-shit, bashkëpunues me gjermanët, i konsideron tradhëtarë, kolaboracionistë apo kuislingë, ende edhe sot, pas tre dekada demokracie. 

Por le t’i shohim nën një këndvështim krahasues të dy ngjarjet, që i ndajnë vetëm dy dhjetvjeçarë:

I

Në 6 dhjetor 1916, ditën e Shën Kollit, trupat franceze të kol. Decoin okupuan kazanë e Korçës, duke përzënë ushtërinë greke kostandiniste, që ishte instaluar aty disa muaj më parë. Si do të qeverisej krahina në kushtet e këtij okupacioni të ri? 

Francezët ua bënë të qartë vendasve, parisë të qytetit të Korçës, situatën e krijuar në terren, duke nënvizuar faktin se ata ishin aty kalimtarë dhe jo pushtues, për nevojat strategjike të luftës dhe do të largoheshin posa të mbaronte lufta. 

Vendasit duhet të zgjidhnin mes dy opsioneve të mësipërme. 

Atdhetarët korçarë, të të dyja besimeve (të krishterë dhe muslimanë), duke peshuar avantazhet dhe disavantazhet e propozimit francez, zgjodhën opsionin e dytë, si më të mirin për interesat e qytetarëve të tyre dhe jo pa arsye;

Francezët e okupuan krahinën për nevojat e tyre strategjike të luftës dhe jo si pushtues të mirëfilltë, siç kishin vepruar në vendet e tjera koloniale, në Afrikë apo në Indokinë. Pra ata vërtet ishin kalimtarë, dhe do të largoheshin posa të përfundonte lufta. Vetqeverimi që ju ofronin vendasve donte të thoshte që do të ishin ata që do të mblidhnin taksat lokale dhe do t’i shpenzonin ato në të mirë të vendit, të arsimit, shëndetësisë, rendit publik, do të ngrinin një administrate shqiptare, do të ishte shqipja si gjuhë zyrtare, flamuri kombëtar i Skënderbeut etj. Jo vetëm kaq, por francezët ishin edhe një mburojë ushtarake ndaj ushtërisë greke që në harkun e dy viteve e kishte pushtuar dy herë Korçën me qëllim aneksimi: në luftrat ballkanike (1912) dhe fill pas largimit të princ Widit (1914).

Për të qenë korekt me Historinë, po ju paraqes më poshtë “Protokoll Marrëveshjen” që përfaqësuesit e popullit të kazasë të Korçës nënshkruan me Autoritetin ushtarak francez të qytetit, në datën 10 dhjetor 1916.

Korcë, më 10 dhjetor 1916

Neni 1. – Në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar të shprehur nëpërmjet delegatëve të tij, kazaja e Korçës me rrethet e varura prej saj, të Bilishtit, të Kolonjës, të Oparit dhe të Gorës, formohet si krahinë autonome e administruar nga nëpunës shqiptarë, nën mbrojtjen e pushtetit ushtarak francez.

Neni 2. – Administrata e kazasë i besohet një Këshilli prej 14 anëtarësh, gjysma të krishterë dhe gjysma myslimane. Ky keshill ngarkohet: 1) Të marrë të gjitha masat e nevojshme për një administrim të mirë të kazasë të Korçës dhe të rretheve të varura prej saj; 2) Të kontrollojë funksionimin e të gjitha shërbimeve publike.

Neni 3. – Këshilli do t’i parashtrojë për miratim pushtetit ushtarak francez emrat e titullarëve të nëpunësive të ndryshme. Emërimet për këto nëpunësi do të bëhen nga pushteti ushtarak francez.

Neni 4. – Do të krijohet, nën autoritetin e një Prefekti të Policisë, një trupë xhandarmarie – policie me detyrën për ruajtjen e rendit të brendëshëm.

Neni 5. – Do të krijohet një trupë “xhandarmarie e lëvizëshme shqiptare” me detyrën që të ruajë pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve të saj.

Neni 6. – Do të mund të krijohen gjithashtu, për të njëjtin qëllim, njësi të rregullta vullnetarësh, efektivi i të cilave do të varet nga rrethanat dhe nga kreditë e disponushme.

Neni 7. – Kur do të urdhërohen të veprojnë, forcat e policisë, xhandarmaria lëvizëse dhe trupat e vullnetarëve, do të jenë nën autoritetin e epërm të oficerit francez, që është komandant i rrethit të Korçës.

Neni 8. – Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.

Neni 9. – Flamuri i kazasë së Korçës do të jetë flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat tringjyrësh të flamurit francez.

Për Autoritetin ushtarak francez: kol. Decoin.              Për popullsinë, 14 delegatë, si më poshtë:

Vasil Singelo, Vasil Kondi, Koço Noçka, Rafail Avrami, Nikollaq Evangjeli, Thimaq Cali, Llambro Mborja, Sali Babani, Emin Rakipi, Shaqir Shabani, Hysen Dishnica, Haki Shemshedini, Qani Dishnica, Tefik Rushit.

PS. Marrë prej A.Simonard, Essai sur l’independence albanaise, Paris 1942 fq.309-310

Kaq na dha Franca. Le të shohim se çfarë na dha pushtuesi tjetër – Gjermania.

II

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në 9 shtator 1943, vakumin gjeostrategjik të krijuar prej saj në Shqipëri e mbushi ushtëria gjermane, që hyri nga territori i pushtuar grek. Ky veprim ushtarak justifikohej nga dyshimi i arsyshëm që kishte Wehrmachti gjerman se në bregdetin shqiptar mund të zbarkonin aleatët anglo-amerikanë dhe ndërprisnin kështu komunikimin e trupave të tyre që ndodheshin në Greqi dhe Jugosllavi, me pjesën tjetër të ushtërisë.

Çfarë mardhënie do të krijonte Wehrmachti me shqiptarët? Edhe në këtë rast dy ishin opsionet:

– Nëse askush nga vendasit nuk do të ofrohej të qeveriste vendin, ata do ta shpallnin Shqipërinë si një vend të pushtuar, do të ngrinin një Administratë ushtarake gjermane, me një ” Të Plotfuqishëm” gjerman dhe do të zbatoheshin Ligjet e luftës.

– Nëse shqiptarët do ngrinin vetë një Qeveri të tyren, që të administronte vendin (me kusht që të mos i ngacmonte gjermanët), ata premtuan që ta njohin Pavarësinë dhe Asnjëanësinë e Shqipërisë në luftë. Kushtetuta italiane (1939-1943) abrogohej.

Këtë opsion të dytë e morrën përsipër të ashtuquajturit “Kuislingë” nga historiografia jonë zyrtare. Do të duhet një shkrim më vete të krahasosh se çfarë do të ndodhte për vendin nëse pranohej opsioni i parë (komunisto-ballist), kur lufta desh edhe 2 vjet të përfundonte. Marrveshja e patriotëve korçarë me Komandën ushtarake frënge në 1916, në kuadër të njohjes të “Krahinës Autonome të Korçës”, ishte një shembull frymëzues. Këta “kuislinë e tradhëtarë’, ishin pader Anton Harapi, Lef Nosi, Medi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva etj, ajka e inteligjencës dhe atdhedashurisë shqiptare të kohës.

Këta qeveritarë, që çështë e vërteta ishin më të mirët që ka patur ndonjëherë shteti shqiptar, për atdhetari, kulturë dhe ekspertizë, ishin të vetëdijshëm për fatin e luftës botërore dhe rrezikun komunist të pas luftës kur vendosën të pranojnë opsionin bashkëpunues me gjermanët. Gjykuan që sakrifikimi (kariera) personal i tyre do të ishte një dëm më i vogël krahasuar me atë që mund të pësonte vendi. 

Nga pikpamja kushtetuese në 29 nëntor 1944, kur gjermanët u larguan nga Shqipëria dhe komunistët u instaluan në pushtet, Shqipëria ishte një vend neutral, që kishte dalë nga lufta. Kjo ishte edhe arsya pse Aleatët nuk e trajtuan Shqipërinë si “Vend të mundur” në Konferencën e Paqes në Paris në 1946 dhe i njohën asaj vetëm të drejtën të kërkojë “dëmshpërblimet e luftës”. Pretendimi se LNÇl ishte ajo që na renditi përkrah Aleancës Antifashiste është vetëm pjesë e mitologjisë komuniste. Ne u bëmë antarë të OKB-së vetëm në 1955 me këmbënguljen dhe pazaret e Bashkimit Sovjetik!

Këtë zgjedhje të tyre le ta çmojë Historia!

Akti juridik që e sanksionoi këtë qendrim është Vendimi i mëposhtëm i Kuvendit Kombëtar i datës 22 tetor 1943

KUVENDI KOMBËTAR

Vendim dt. 22.10.1943 nr1 (Abrogim vendimesh e dekretesh)

Kuvendi Kombëtar, në mbledhjen e vet në dt. 22 tetuer 1943 aprovoi dhe dekreton Vendimet që vijojnë:

Neni 1 – Vendimet e Asamblesë më 12 prill 1939, mbasi ajo nuk përfaqësonte vullnetin e lirë të popullit shqiptar, jane rrëzuem. Për pasojë, bashkimi i Kunorës të Shqipnis me të Mbretënis Italiane në personën e Mbretit t’Italis Viktor Emanuel i III dhe trashëgimtarëve të Tij, mbetet pa fuqi. Gjithashtu mbetet pa fuqi Statuti i dekretuem në 3 Qershuer 1939 dhe i botuem në Fletoren Zyrtare nr.40 dhe datë 10 Qershuer 1939.

Neni 2 – Të gjitha ligjet, dekret-ligjet, dekretet dhe regulloret të promulgueme prej datës 7 prill 1939 deri më 14 Shtatuer 1943 mbeten në fuqi, veç atyne qi abrogohen ose nuk pajtohen me frymën e vendimeve të Kuvendit Kombëtar. Qeverija ngarkohet që brenda dy muajve të shqyrtojë të gjitha ligjet, dekret-ligjet, dekretet dhe rregulloret qi përmenden ma nalt dhe t’abrogojë ato qi nuk pajtohen me interesat e nalta të Shtetit.

Neni 3 – Pushtetet shtetnore deri në mbarimin e luftës së përgjithëshme ushtrohen sipas dispozitave qi pasojnë:

1. Pushteti Përmbarues ushtrohet prej Këshillit të Naltë të përbamë prej katër vetave, të zgjedhun për herë të parë prej Kuvendit Kombëtar.

2. Pushteti Legjislativ ushtrohet bashkarisht prej Këshillit të Naltë dhe Parlamentit, simbas atributeve të caktueme në Statutin me datë 1-12-1928.

Parlamenti ka të drejtë me ja deleguem, për një kohe të caktueme, Pushtetit Përmarues atributat legjislativa të veta. Dekret-ligjet të promulgueme prej Pushtetit Përmbarues kanë me i-u paraqitë për aprovim Parlamentit, në mbledhjen e tij të parë.

Neni 4 – Dispozitat e Statutit me datë 1-12-1928 që nuk vijnë në kundërshtim me Vendimet e Kuvendit Kombëtar, as me ligjet qi jesin në veprim, si mbas vendimeve të Kuvendit në fjalë, rivehen në fuqi.

Neni 5 – Konsiderohet e paqenë dhe mbetet pa fuqi për çdo efekt, dekret-ligja me datë 9-VI-1940, e botuem në Fletoren Zyrtare nr.93 dt. 10-6-1940, kthyem në ligje nr.319 datë 4-7-1940, botuem në Fletoren Zyrtare Nr.128 datë 19 Gusht 1940, me të cilën Shqipnia njihej e hyeme në luftë me ato Shtete me të cilët Mbretnia e Italis ka pasë qenë në luftë.

Tiranë, më 22 Tetuer 1943

KRYETARI (Lef Nosi d.v.)

Si përfundim:

Kjo është një temë me të cilën mund të mbrohet fare mirë një doktoraturë, nëse atë ja nënshtrojmë një analize më të plotë dhe më të dokumentuar, të ngjarjeve dhe fakteve. Unë u mundova këtu vetëm të cek idenë se “situatat e ngjashme duhet t’i analizojmë dhe vlerësojmë me standarte të njëjta” dhe jo, si e kemi zakon, disa t’i trajtojmë si të nënës dhe disa të tjerë si të njerkës, duke e deformuar dhe politizuar historinë tonë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *