Opinion nga Klodi Stralla

Këtë 20 nëntor mbushen plot 80 vjet nga fillimi i procesit penal – i ashtuquajturi “Gjyqi i Nurembergut” – ndaj hierarkëve të lartë nazistë, të akuzuar personalisht si subjekte përgjegjëse që kryen “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit” gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) mbi popullsi civile të pafajshme, mbi etni të paragjykuara si inferiore (hebrenjtë) dhe me bindje të ndryshme politike nga të tyret (komunistët).

Ky gjyq, i paprecedent në historinë e njerëzimit (sui generis), penalizoi, gjykoi dhe ekzekutoi e burgosi gjithë zinxhirin komandues të elitës naziste që mundën të kapeshin gjallë, duke i cilësuar ata si “kriminelë lufte”. Ndërkohë, në planin teorik të së drejtës ndërkombëtare, ky proces penal shtroi këtë problem parimor: A duhet të penalizohet lufta?

Prej mijëra vjetësh janë zhvilluar mijëra luftra, me fitimtarë dhe të mundur, por kurrë nuk ka pasur një gjyq që të penalizojë drejtuesit e palës humbëse të luftës. Ka pasur vetëm “traktate paqeje”, ku fitimtari i ka diktuar të mundurit kushtet e veta, shpesh skllavëruese, si aneksime territori, reparacione në të holla, robër lufte etj., por jo gjyq publik të të mundurit, në nivel personash konkretë përgjegjës. Aleksandri i Madh ndaj Darit të Persisë, Roma ndaj Kartagjenës apo Anglia ndaj Napoleonit të Francës nuk zhvilloi gjyqe penale. Vendi i mundur ishte Persia, Kartagjena dhe Franca, por “i munduri” nuk u penalizua për t’u cilësuar “kriminel” dhe as u dënuan me gjyq kundërshtarët.

Dikur lufta ishte një mënyrë “e nxehtë” e zgjidhjes së një konflikti mes palëve, kur shtereshin bisedimet (diplomacia). Ajo realizohej mes dy ushtrive armike të vendosura përballë njëra-tjetrës, në fushëbetejë, jashtë vendbanimeve të popullsive civile të tyre, dhe i munduri detyrohej, sipas rregullit, t’i dorëzonte fitimtarit “çelësin” e qytetit, pa u prekur popullsia civile.

Përkundrazi, lufta moderne është krejt ndryshe: secila palë ndërluftuese, duke vrarë dhe dëmtuar popullsinë civile të pambrojtur të palës tjetër, kërkon ta dekurajojë atë për të arritur fitoren me çdo çmim. E tillë ishte veçanërisht L2B, por edhe ajo e Vietnamit ose sot ajo në Gaza të Palestinës.

Penalizimi është një proces që buron nga një pushtet sovran (shteti), që kërkon së pari një legjislacion (kod) ku të përcaktohen cilat do të quhen “vepra penale”; kërkon pastaj edhe një trupë gjyqësore dhe po ashtu një akuzë (prokuroria) dhe mbrojtje (avokatia). Ndërkohë që fitimtarët (SHBA, BRSS, Anglia dhe Franca) ishin shtete sovrane, me legjislacion të ndryshëm nga njëri-tjetri, ndonëse kishin regjime të ndryshme politike (demokraci liberale dhe diktaturë komuniste), ndonëse kishin qëllime të ndryshme se përse hynë në luftë, ata e gjetën gjuhën e përbashkët për të dënuar nazizmin (ekonomi tregu me një parti), si një dukuri rivale e rëndësishme që i konkuronte ata në sundimin e botës.

Kështu, në takimin e Londrës (8 gusht 1945), u vendos që të krijohej nga fitimtarët gjykata penale, u caktuan edhe gjyqtarët dhe prokurorët nga secila palë, si dhe u përcaktua cila do të ishte “vepra penale” për të cilën do të akuzohej i munduri “in persona”. U shpikën “vepra penale” që nuk ishin në legjislacionin e asnjërit prej fitimtarëve: “gjenocidi” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Gjyqi i Nurembergut, që filloi më 20 nëntor 1945 dhe mbaroi më 1 tetor 1946, dënoi me varje në litar disa prej krerëve nazistë, si Goeringu, Hessi dhe Ribbentropi, dënoi me burgim të përjetshëm disa të tjerë, si dhe disa u deklaruan të pafajshëm, ndonëse edhe Aleatët kryen jo pak krime (bombardime) mbi popullsitë civile, por këto, në mënyrë cinike, i justifikuan si nevoja jetike për të mposhtur kundërshtarin. Qershia mbi tortë ishte bomba atomike mbi Japoninë e mundur, që shfarosi mijëra njerëz të pafajshëm në pak sekonda.

Synimi i vërtetë ishte shumë i qartë: t’i jepnin luftës një karakter moral (i miri – i ligu), me agresor (njëra palë) dhe me viktimë (pala tjetër). Koha e sotme këtë kriter moral e ka çvleftësuar shumë!

Edhe ne, shqiptarët e pas viteve ’90, me vendosjen e sistemit demokratik, bëmë “gjyqin” tonë të Nurembergut ndaj hierarkëve komunistë që ishin ende gjallë, por të gjithë e dimë fatin e atyre gjyqeve: rebelimi i vitit 1997 jo vetëm i nxori ata nga burgu, por u dha pafajësinë dhe dëmshpërblimin.

Përse Aleatët përdorën ndaj dënimit të krimeve të komunizmit standarde krejt të ndryshme nga ato që përdorën në Nuremberg ndaj nazistëve, ndonëse krimet e komunistëve ishin jo vetëm më makabre se të nazistëve, por edhe zgjatën shumë më tepër, mbi një gjysmë shekulli?

Kjo mbetet një nga enigmat e historisë, një trajtim preferencial që vazhdon ende sot.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *