Nga Hasan Bello
E ashtuquajtura marrëveshje Zogu-Pashiq është shndërruar në një instrument për vlerësimin dhe rivlerësimin e figurës historike të Ahmet Zogut dhe kontributit që ai ka dhënë për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar në vitet 1925-1939. Por detyra e historianit dhe studiuesit para se të shprehet publikisht dhe të mbajë qëndrime është të hulumtojë autenticitetin e një dokumenti ose marrëveshjeje. Më pas vjen një hap tjetër po aq i rëndësishëm: Leximi dhe interpretimi profesional i tij, duke e vendosur në kontekstin e zhvillimeve politike dhe diplomatike.
Këto procese ndodhin zakonisht kur tek individi ka një ekuilibër të brendshëm mes etikës njerëzore dhe profesionale.
Shumica e historianëve dhe studiuesve shqiptarë lidhur me të ashtuquajturën marrëveshje Zogu-Pashiq i referohen një letre A4, pa firmë, pa vulë, pa numër protokolli apo simbolikën e një dokumenti zyrtarë lëshuar nga një institucion shtetëror me 16 pika që gjendet në arkivin e MPJ. Burimi se nga ka ardhur kjo shkresë në Shqipëri nuk dihet. Prandaj asnjë historian serioz dhe specialist i arkivave nuk e konsideron nga pikëpamja shkencore si dokument.
Që në vitin 1924 kur Zogu ndodhej në Beograd shtypi grek botoi shkrime gjoja për një marrëveshje shqiptaro-jugosllave për krijimin e një konfederate të përbashkët. Për burimin e kësaj marrëveshje ose fake news-i ka pikëpamje të ndryshme. Të gjitha konvergojnë në një pikë, se ajo është produkt i botës së nëndheshme të agjenturave të shteteve fqinjë që kërkonin, për arsye xhelozie, të përplasnin Italinë me Jugosllavinë, në kuadër të rivalitetit që ato kishin për të dominuar mbi shtetin e sapo krijuar shqiptar.
Për ta ilustruar, në dokumentin “origjinal”, që ruhet në arkivin e MPJ, në vend të “kossovari” siç i thonin italianët, evidentohet “cossoviotti”, siç i thonë grekët.
Historiani italian Pietro Pastoreli në një studim të tij shkruan se teksti i një marrëveshje të tillë i kishte rënë në dorë atasheut ushtarak italian në Beograd, Sebastino Praska në nëntor të 1926 dhe pak më vonë edhe të Ngarkuarit me Punë në Shqipëri, Tomaso Assereti. Ai hedh dyshime serioze mbi ekzistencën e saj, duke e konsideruar si një marrëveshjeje të supozuar. Edhe historiani jugosllav Zhivko Avramoski i cili njihet si njohës i mirë i arkivave thekson se nga bisedimet e Zogut me qeverinë jugosllave nuk ekziston kurrfarë dokumenti i shkruar. Një qëndrim të njëjtë mban edhe historiani tjetër i njohur jugosllav Vuk Vinaver. Por edhe studiues të tjerë kosovarë që njihen si antizogistë nuk kanë arritur të zbulojnë ndonjë dokument të tillë në arkivat e Beogradit.
Një marrëveshje e tillë, të cilët e morën për bazë historianët e para viteve 90-të, nuk kishte pse të shkruhej në italisht, por në shqip, serbisht apo siç ndodhte zakonisht në atë periudhë në gjuhën frënge; për Pashiqin shkruhet “il presidente”, ndërkoh që ai, ashtu si Zogu në këtë moment nuk mbante asnjë post zyrtar.
Historianët e para viteve 90-të, por të cilët kanë vijuar të jenë akoma shumë aktivë 30-të vitet e fundit, kur hasin në polemikat e forta të atyre që me argumenta i kundërshtojnë, e kuptuan se teza e tyre binte shumë lehtë vetëm me një argument: Po të ekzistonte një marrëveshje e tillë do ta kishin publikuar jugosllavët në vitet 1926-1927, kur Zogu nënshkroi me italianët paktin e parë dhe të dytë, në shenjë hakmarrjeje për kursin e ri që ai po merrte në politikën e jashtme. Prandaj për të shtuar mjegullën politiko-propagandistike i mëshuan tezës tjetër se ajo ka qenë një marrëveshje xhentëlmenësh.
Fake news-i merr nota akoma më qesharake kur për të intriguar lexuesit shkruhet se teksti i marrëveshjes gjendet në arkivin e Beogradit, pa cituar asnjë indikacion me të cilin çdo studiues e lexues kurioz mund të tërheqë një kopje të kësaj “marrëveshje”.