Nga Erica Wagner
I ndjeri Márquez kishte shprehur dëshirën që dorëshkrimi të mbetej i fshehur – por edhe historia ka të drejtën e saj.
Kur ishte gjallë, Gabriel García Márquez-i vendosi që romani i tij i fundit të mos botohej. Shkrimtari kolumbian – një nga më të mëdhenjtë e shekullit të 20-të, autor i “Njëqind vjet vetmi” dhe fitues i çmimit Nobel në 1982 – kishte vuajtur nga demenca, megjithëse vazhdonte të punonte. Pas vdekjes në vitin 2014, në moshën 87-vjeçare, ky dorëshkrim i fundit iu bashkua arkivit të tij në Qendrën Harry Ransom në Universitetin e Teksasit, duke u mbajtur lar syve të publikut, në përputhje me vullnetit e shprehur.
Megjithatë, 10 vjet pas vdekjes, libri i titulluar “Shihemi në gusht”, do të botohet në të gjithë botën më 6 mars. Demtë e tij, Rodrigo dhe Gonzalo García Barcha, kundërshtuan kërkesën e babait të tyre. “Shihemi në gusht” ishte fryt i përpjekjes së fundit të babait tonë për të vazhduar të krijojë duke bërë të pamundurën,” kanë thënë ata. Duke e lexuar romanin, bijtë zbuluan se pavarësisht nga ndonjë mangësie – ai ende pasqyronte “aftësinë e tij për të trilluar, gjuhën poetike, rrëfimin magjepsës, botëkuptimin për njerëzimin dhe dashurinë për përvojat dhe fatkeqësitë tona”.
A kanë të drejtë trashëgimtarët të shpërfillin dëshirën e tij? A është botimi i librit një shenjë mosrespektimi apo (siç pëshpëritet) dëshmi e dëshirës për të fituar para? E thënë shkoqur, mund të themi se nuk ka fare rëndësi: Domethënia e García Márquez-t shkon përtej përkujdesit apo dëshirave të tij të fundit. Ky është kuptimi i vdekjes për ju.
Ne të tjerët, lexues dhe studiues të letërsisë dhe neuroshkencës, do të kemi tani një shans jo vetëm për ta lexuar këtë vepër të fundit, por edhe për të kuptuar pak, ndoshta, se si sëmundja e tij shkatërruese ndikoi në fuqinë krijuese. Krahasimi mund të bëhet me librin e mrekullueshëm të shkrimtarit amerikan, David Milch, “Puna e një jete”, i sapo botuar. Ai përbën një guidë për procesin e krijimit të këtij autori: por pasqyron edhe dëmin e demencës tek ai dhe është shkruar me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve.
Trashëgimia e një autori nuk ngurtësohet asnjëherë; dhe është e rëndësishme të theksohet se një libër me pak i rëndësishëm, nëse do ta gjykojmë kështu, nuk do të ndikojë në reputacionin e një libri më të madh. Libri i fundit që García Márquez botoi gjatë jetës, “Kujtime kurvash të trishta” (2004) nuk u prit shumë ngrohtë: “një ushtrim me gjysmë zemre i artit të rrëfimit, i botuar thjesht për të shenjuar kohën”, shkroi shënimin hidhërak Michiko Kakutani në “The New York Times”. Megjithatë, pjesa tjetër e veprës mbetet e pazbehur dhe e qëndrueshme; dhe ajo që është e vogël mund të hedhë dritë mbi të madhen.
Romani i Harper Lee-s “Shko vër një rojë” u botua në vitin 2015, një vit para vdekjes, dhe dukej e paqartë se sa e përfshirë kishte qenë në botim: megjithëse edhe pse nuk ishte botim pas vdekjes, ngjante si i tillë. Deri në atë moment ajo kishte botuar vetëm një libër, dhe një nga më të njohurit e shekullit të 20-të – fitues i çmimit Pulitzer “Të vrasësh zogun pëqeshës”, në vitin 1960.
“Shko vër një rojë” është vepër e vogël; megjithatë hedh dritë në “Të vrasësh zogun pëqeshës”, – jo vetëm sepse, në shekullin e 21-të, rrëfimi i të bardhit shpëtimtar në roman është shumë më problematik. Ai zbuloi se Atticus Finch – i perceptuar deri më tani si një nga figurat më të mëdha morale të letërsisë amerikane – kishte marrë pjesë në një takim të Ku Klux Klan-it në rininë e tij; dhe se ai mendonte se përpjekjet për të zhdukur skllavërinë në Jug po ecnin me ritme shumë të shpejta. Kur u publikua lajmi – dhe ishte një lajm i madh – im bir, atëherë 14-vjeçar më telefonoi nga shkolla: “Mami, a është Atticus Finch racist?” “Shko vër një rojë” tregon se Finch nuk mund të shmangte të qenit një njeri i kohës së tij.
Franz Kafka i kërkoi Maks Brodit, të kthehej në ekzekutuesin e veprës së tij letrare, t’ia digjte pas vdekjes letrat: po të kishte pranuar Brodi, ne nuk do të kishim “Kështjella” ose “Gjyqi”. Ted Hughes shkatërroi disa nga ditarët e Sylvia Plath-it: një akt mbrojtjeje apo përdhosjeje? Në njëqindvjetorin e lindjes së JD Salinger-it, në vitin 2019, i biri, Matt Salinger më tha mua – dhe botës – se ai synon të nxjerrë dalëngadalë veprën e pabotuar të të atit.
A do të revolucionarizohet të kuptuarit tonë për këtë autor? Nuk ka gjasa, megjithëse ideja se do të botohen ato vepra pa asnjë dyshim është magjepsëse. A është zhvlerësuar kujtimi i Salinger-it nga i biri? Unë mendoj se jo. Ne mund të lumturohemi, sigurisht, kur njohuritë tona për veprën e një artisti zgjerohen.
Përktheu: Granit Zela