Nga Arbër Zaimi
Në Tiranë një a disa aktivistë kanë ndërhyrë sipërfaqësisht në mozaikun e madh të Muzeut Kombëtar. Ndërhyrja me qëllim sensibilizues paraqet (përkohësisht) gruan qendrore të mozaikut, Shqipërinë si të prekur nga kanceri i gjirit, pa flokë për shkak të kemios, me vragë në gji prej ndërhyrjes kirurgjikale.
Përtej mesazhit të drejtpërdrejtë, që synon t’i japë zemër secilës gruaje që kalon në ato përvoja, kjo ndërhyrje arti-aktivist hap edhe mundësi të tjera reflektimi, me a pa vetëdijen e autorëve.
Shqipëria në mozaikun “e vjetër” është rrethuar, pasuar, mbështetur, çliruar e ngritur nga fëmijët e saj punëtorë, luftëtarë, veprimtarë, arsimtarë, studiues. Mirëpo sot, nënë moj që më dhe gjinë, vallë kur do ma shohësh sinë moj nëna ime. A është kjo kënga e qindra mijëra të rinjve e të rejave që kanë shkuar “nuse e dhëndurë” përtej shtatë detesh e nëntë malesh e a është Shqipëria gjithnjë e më e vetmuar si një prind i lënë pas?
Shqipëria ideale, jo shteti por ideja shqiptare, i ka mbijetuar hera-herës sëmundjeve akute e kronike, por jo pa u dobësuar në shtat e në peshë. A e ka patur vërtet gjithnjë mbështetjen e fëmijëve të saj? A u bëhet vonë atyre për gjirin ku kanë pirë? A kanë pirë qumësht të dlirë a të përlyer? A kanë pirë sa u takon, apo kanë thithur si të babëzitur qumësht e gjak duke kafshuar e infektuar gjirin amnor me uri të pangopur prej fëmije të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm?
A i mbijeton Shqipëria edhe këtij kanceri, metastazat e të cilit rrethojnë sheshin ku gjindet vetë mozaiku. Ka njerëz që ndihen të fyer nga ndërhyrja mbi mozaik, sepse kjo ua ndryshon panoramën me të cilën janë mësuar qyshmoti. Por a kanë dëgjuar ata se është diskutuar edhe për ta rrëzuar vetë muzeun ashtu si teatrin e stadiumin, e se ajo çka mendon komuniteti për panoramat tiranase ka kohë që nuk respektohet prej makinerisë gjigande që shpëlan kapitale të zeza e të hirta dhe nxjerr si jashtëqitje beton, hekur dhe xham struktural. Kjo ekonomi metastatike largon dhe përjashton fëmijët e Shqipërisë ideale, mbeten të plakurit dhe ata që kafshojnë fort gjirin e s’ëmës, më fort e më ashpër se bisturia e kirurgut onkolog.

