Nga Hasan Bello

“Katovica” është një mit politik shqiptar që i referohet një “marrëveshjeje sekrete” të hartuar nga udhëheqja komuniste në fund të viteve ’80 (rreth vitit 1989), për të organizuar kalimin “paqësor” të ish-komunistëve në pushtet edhe pas rënies së komunizmit.

Thuhet se “marrëveshja” u frymëzua nga programi i Partisë Komuniste Polake në qytetin Katowice (në Poloni), ku u zhvilluan takime për reformimin e sistemit socialist para shembjes së tij.

Çfarë përmbante “Katovica shqiptare”?

Sipas rrëfimeve jozyrtare, ajo përmbante pika si:

Ndryshimi i formës së regjimit, por jo i thelbit të pushtetit; Kthimi i ish-komunistëve në “demokratë”; Privatizimi i pasurisë publike në duart e ish-funksionarëve; Kontrolli i mediave dhe i drejtësisë gjatë tranzicionit.

Por asnjë dokument i tillë nuk është gjetur ndonjëherë, as në arkivat shqiptare, as në ato të ish-bllokut lindor.

Prandaj, “Katovica shqiptare” është një teori konspirative që përdoret për të shpjeguar se si arritën ish-komunistët të ruajnë ndikimin e tyre pas vitit 1991. Ajo nuk është dokument historik, por një metaforë politike për tranzicionin e kontrolluar.

Por a ka pasur diçka të ngjashme me Katovicën?

Sigurisht që ka pasur! Përveç eliminimit të elitave pro-perëndimore dhe të arsimuara jashtë vendit — të cilat u asgjësuan pjesë-pjesë gjatë 45 viteve të regjimit komunist dhe me “goditje të përqendruara” siç ishte rasti i bombës në ambasadën sovjetike — u morën masa për të përgatitur elitën prokomuniste.

Një pjesë e kësaj elite u shkollua në vendet e bllokut lindor, ndërsa një pjesë tjetër brenda vendit, e cila më vonë u dërgua në Perëndim për kualifikime afatshkurtra dhe specializime (MA, Dr. etj.).

Sipas të dhënave nga burime të hapura, që vijnë nga ish-funksionarë të lartë, Sigurimi i Shtetit kishte krijuar që në vitet ’70 një drejtori të agjentëve të fjetur (të konservuar), të cilët, në rast të një ndërhyrjeje nga jashtë, do të infiltronin strukturat drejtuese të shtetit. Nuk di sa e vërtetë është kjo, por ajo që bie në sy është se pas vitit 1991 vendi është drejtuar nga elita e prodhuar nga regjimi komunist, individë me lidhje të forta me sistemin.

Personalisht, jam i mendimit se rënia e regjimit komunist në Shqipëri ishte një “shpërthim i kontrolluar”.

Te ne nuk ka pasur Katovicë në kuptimin historik të fjalës, por “kopilë politikë” të regjimit komunist.

Dhe ajo që vihet re sot është se shumë nga “fëmijët e spiunëve” kanë trashëguar jo vetëm pozitat, por edhe ndikimin politik e shoqëror.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *