Nga Ermal Mulosmani

Kryeministri Rama dhe udhëheqësit politikë të Kosovës kanë reflektuar prej kohësh në publik një ngricë në raportet politike mes tyre. Ata kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të artikuluar me cinizëm e në tejkalim të çdo etike diplomatike, mospajtimet e tyre. Retorika nacionalisto- agresive, antiserbe, e udhëheqësve të Kosovës duket e bezdiste mjaft kryeministrin e Shqipërisë që asokohe promovonte nismën “Ballkani i Hapur”.

Përpjekjet e tij për të ndërtuar një të ardhme që nuk sheh fort nga e shkuara e larguan atë jo vetëm nga udhëheqësit por dhe nga një pjesë e madhe e popullsisë së Kosovës. Ndërkohë, sjelljen e tij të moderuar ndaj Serbisë dhe udhëheqësve të saj e shfrytëzuan me mjaft efikasitet Kurti dhe Osmani duke e përballur, sa herë u binte rasti, me emocionet e forta të popullatës së Kosovës ndaj serbëve. Duke dashur të joshte Serbinë Rama po humbte Kosovën.

Vjosa Osmani ishte e para që tejkaloi gjuhën diplomatike kur në Kuvendin e Shqipërisë goditi sjelljen e moderuar e miqësore të Ramës ndaj Serbisë dhe udhëheqësve të saj kur tha:

“Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet dhe jo të shpërblehet. I bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë për miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin serb në Kosovë.”

Kryeministri Rama refuzoi të ishte i pranishëm në seancën kur presidentja e Kosovës do të mbante fjalimin. Për më tepër, i pyetur nëse është i gatshëm të miratojë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, Rama nuk e përmbajti aspak bezdinë ndaj një kërkese të tillë duke e quajtur: “politikë të jashtme për përdorim të brendshëm”.

“Historia e Kosovës nuk fillon me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Partia Socialiste dhe parlamenti shqiptar ka miratuar nja 15 rezoluta deri tani ku dënohet genocidi apo pastrimi etnik serb. Por kjo është perdorim i politkës së jashtme për politikë të brendshme”.

Fitorja e paralajmëruar e binomit Kurti Osmani në zgjedhjet e Shkurtit 2021 nuk e zbuti aspak klimën mes palëve. Përkundrazi, pak me vonë, pjesëmarrja e dështuar e disa kandidatëve të partisë së Kurtit në zgjedhjet e Shqipërisë vetëm sa i acaroi më tej. Edhe vizitat zyrtare të Kurtit në Shqipëri nuk e maskuan tensionin mes dy Kryeministrave.

Tensionet e Kurtit me ndërkombëtarët dhe pafuqia e Ramës për të ndikuar në këto raporte duket e kanë shqetësuar kryeministrin e gjithfuqishëm të Shqipërisë. Megjithatë, Rama shfrytëzonte çdo rast për të përgëzuar Kurtin sa herë ai i bindej emisarëve ndërkombëtarë, si në rastin e Ohrit ashtu edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për asosacionin.

Nga takimet formale nëpër samite, vihej re një shmangie e qartë mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama. Secili prej tyre ishte në një garë bezdisëse fotografish që përjashtonin njëri-tjetrin.

Kulmi arriti kur Presidentja Osmani zgjodhi të ilustronte pjesëmarrjen në një samit ndërkombëtar ku organizatorët e kishin vënë mes kancelarit Sholz dhe Kryeministrit Rama. Në foton e përzgjedhur kryeministri ishte prerë në mes, me një shfaqje të pafshehur bezdie dhe distance nga ajo prani. Ishte një foto inatçore, sfiduese, e papërshtatshme. Gjuha e trupit të kryeministrit dhe presidentes ishte e tendosur, distanca e largët, ftohtësia e madhe.

*****

Por Rama ka treguar fleksibilitet të skajmë në sjelljet me faktorët politikë sa herë indiferenca nuk ka mjaftuar apo nuk ka sjellë përfitimet e pritura. Këtu është momenti të përmendim edhe rastin e konfliktit të hapur me ish-kryeministrin Haradinaj të cilin e hodhi në gjyq për shpifje. Gjyq nga i cili u tërhoq pa bujë dhe sot Haradinaj është një nga partnerët e besueshëm të Ramës në Kosovë. Ai pritet ngrohtë në kryeministrinë e Shqipërisë dhe takimet përcillen me mesazhe të ngrohta vëllazërore reciproke. Armiqësitë i përkasin të shkuarës. Duket se e njëjta logjikë synon të përdoret edhe me udhëheqësit e sotëm të Kosovës.

Rama duket e vuan mungesën e protagonizmit politik në skenën ndërkombëtare sa herë flitet për Kosovën. Ndaj ka filluar afrimin. Në mungesë të një qasjeje pozitive nga kryeministri Kurti, ai filloi afrimin me presidenten Osmani si shtegu për të mbërritur te Kurti.

Në një takim në Mal të Zi, në korrikun e këtij viti, në mediat e Shqipërisë u shfaqën foto ku Rama e Osmani dukeshin të relaksuar në një darkë informale të ftuar nga kryeministri Abazoviç.

Konteksti politik i atij takimi ishte veçanërisht domethënës. Vetëm dy javë më parë, kryeministri Rama kishte anulluar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Kosovë. Në një dalje të jashtëzakonshme, ai deklaroi se “në kushtet e një agravimi të marrëdhënieve të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë e shoh të paarsyeshme një mbledhje të formatit të parashikuar”.

Ky moment politik, i pasuar nga refuzimi i Kurtit për të pritur Ramën në Prishtinë tre javë më vonë, përfaqësojnë pikën më të ulët që dy politikanët më të lartë shqiptarë kanë prekur ndonjëherë. E bash në mes të këtyre dy ngjarjeve ndodh takimi informal dhe darka me presidenten Osmani. Duket se Rama ka filluar të veprojë me një gjuhë tjetër.

Në qëndrimin e Prishtinës ai pritet ftohtë nga Osmani. Një pritje që dukej sikur synonte të garantonte Kurtin se është e palëkundur në besnikërinë e saj sesa preokupohej për Ramën. Një takim formal dhe pa asnjë shenjë afrimiteti.

Rama nuk brengoset fort nga pritja e ftohtë e Osmanit. Tashmë duket se është futur në lojë një tjetër skenar. Në fillim të shtatorit në një vizitë të presidentes Osmani në Shqipëri, krryeministri Rama shfaqet i buzëqeshur e besimplotë në atë që e quan “marrëdhënien e patjetërsueshme Shqipëri-Kosovë”. Gjuha e zgjedhur duket se synon një relaksim pavarësisht se për të njëjtin takim Osmani është më e përmbajtur duke e quajtur vetëm “bisedë përmbajtësore”. E krejt në fund vijmë te rasti i Samitit të Diasporës. Në një takim ku përveç Osmanit merrte pjesë edhe kryeministri malazez në detyrë Dritan Abazoviç. Si në rastin e Ulqinit.

Si fillim, nëse u hedh një sy albumit të fotove që kanë hedhur në FB reciprok, Osmani dhe Rama vihet re një kujdesje për të nxjerrë në pah secili atë që i interesonte. Nëse në albumin e Ramës fotot me presidenten Osmani janë mjaft të shpeshta dhe kanë vend qendror, në albumin e Osmanit ndodh e kundërta; ajo kujdeset për ta paraqitur sa më formal takimin. Por kryeministri shfrytëzoi edhe më tej Samitin në fjalë. Duke shfrytëzuar fjalën e tij me rastin e përvjetorit të ditës së alfabetit shqip, Kryeministri lajmëroi shpalljen e kësaj dite festë kombëtare për Shqipërinë dhe shprehu besimin se edhe lresidentja e Kosovës do t’i rekomandojë kryeministrit të vet të njëjtën gjë.

Kjo pjesë e fjalimit të kryeministrit duket i gjeti të papërgatitur të dy presidentët, edhe atë të Kosovës por edhe atë të Shqipërisë. Plasi një gaz i paparë mes tyre që reflektonte me paarsyen e tij, faktin që i gjeti gafil presidentët. Kryetari i shtetit shqiptar kishte arsyet e veta të qeshjes, ndoshta, por presidentja Osmani jo edhe aq. Në sugjerimin dashamirës kryeministror, si rregull, nuk kishte asgjë për të qeshur. Fakti që gazi i shpërtheu tregon situatën e sikletshme ku Osmani u ndodh.

Kryeministri Rama po flirtonte hapur politikisht me të. Unë nuk mendoj se kjo është një përpjekje e kryeministrit të Shqipërisë për të krijuar një hendek mes presidentes së Kosovës dhe kryeministrit të saj. Kjo do të ishte pa kuptim në sytë e mi. Ajo është një përpjekje për të relaksuar raportet e tij me Kosovën, të futura në kolaps nga kokëfortësia e palëve për të pranuar qasjet e kundërta për proçeset themelore të Kosovës. Duket se Rama është pajtuar me faktin që nëse do të ketë një rol ndërkombëtar për Kosovën ai rol nuk mund të fitohet në kushtet e armiqësisë me udhëheqësit e saj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *