Nga Abdulla Diku
U bënë dy-tre ditë që kanë nisur urimet nëpër mediat sociale. Lloj-lloj urimesh e shkrimesh. Nuk e kam kuptuar kurrë pse urohet para ditës së caktuar. Dita e festës është e shenjtë dhe duhet respektuar.
Shumica vendosin një flamur që nuk është ai zyrtar. Thjesht gjejnë një flamur aty në internet dhe menjëherë në postim. Nëse je vërtet patriot, si ka mundësi që nuk e njeh flamurin e vendit tënd?
Një pjesë urojnë 28 Nëntorin si ditë pavarësie e çlirimi. Pjesa tjetër çlirimim e kanë me 29 Nëntor. Jemi një shtet që festojmë çlirimin në dy ditë të ndryshme, pavarësisht se çlirimi na rezultoi një burg i madh.
Shumica që urojnë, nuk dinë të shkruajnë shqipen letrare. Një pjesë e madhe madje e shkruajnë a thua se duan ta përdhunojnë shqipen e shkruar (për të folmen me siguri më shumë).
Të dhemb shpirti kur sheh që edhe shumë mësues e gazetarë nuk dinë të shkruajnë shqipen letrare. Shumë institucione po ashtu, pavarësisht se paguajnë një dyzinë me gazetarë a mësues për të shkruar. Kemi pastaj ministra e deputetë analfabetë të shqipes. Shihni postimet e tyre…
Të gjithë këto pastaj na bëjnë thirrje për të mbrojtur gjuhën e traditat. Po në vend që të mësosh të tjerët, filloje nga vetja. Mëso të shkruash shqip!
Ne mburremi me vjetërsinë e gjuhës tonë, por me siguri të parët e pashkolluar e kanë ditur e mbrojtur shumë më më mirë se ne, ndryshe sot nuk do ekzistonte si e tillë.
Ka plot që na ‘përshëndesin’ e urojnë pavarësinë me foto nga Turqia apo me video me këngë greke, e fjalë gjysëm shqip e gjysëm s’merret vesh çfarë. Por në ditën e pavarësisë nga Turqia, nuk bën të urosh me foto nga Turqia apo me këngë greke. Fundja, çfarë kuptimi ka pastaj festa e pavarësisë. Ndaj urimi i pavarësisë nuk ka asnjë lidhje me veprimin tënd. Thjesht tregon se sa padituri formale e anti-patriotizëm real ka tek ti. Nuk të bën patriot urimi, por veprimi!
Nuk ngelet i madh e i vogël duke na uruar festat e Nëntorit të dytë, veçse thuajse askush nuk kujtohet për Nëntorin e parë, atë që na formësoi e prezantoi para botës si identitet etnik dhe tërësisht evropian, këtu në trojet tona. Nuk do kishim Nëntor të dytë pa të parin, kurrsesi!
Patriot nuk të bën urimi me shqipe të sakatuar prej paditurisë tënde, por dija për rrënjët e tua, për vendin tënd.
Teksa sheh urime të soj-sojshme e shumica krejt pa lidhje, mendon; vërtet kaq atdhetarë janë shqiptarët? Mendja të shkon se po, vërtetë ashtu janë, të marrin gjak në vetull për vatanin.
Por pastaj sheh që nga maja e Korabit, Jezercës, Tomorrit, Gramozit e çdo lloj mali tjetër, nga burimi i çdo lumi e deri në bregdet, nga çdo lëndinë e bukur a shpellë emblematike vendi është i qelbur nga mbeturinat dhjetra-vjeçare, mendon – kush na e ndoti vendin kështu? Të huajt do mendonin dhe vetë të huajt. Por jo! Janë pikërisht “atdhetarët” e facebook që ashtu siç lëshojnë fjalët (si lopa bajgën) në mediat online, lëshojnë pa ju drishur aspak dora shishet e birrës e lloj-lloj qese me mbeturina aty; në rrugë, në lum, në det, në lulishte, në shpellë madje dhe në lëndinat më të bukura që ka krijuar natyra. Kemi shumë probleme me mbeturinat tuaja – më tha një kroate para dy ditësh. Po na ndosin plazhet dhe detin tonë – tha. Teksa lutesha të hapej dheu e të më përpinte – po mendoja; imagjino se sa janë ndotur e vazhdojnë të ndoten tonat. Po bëhemi më të njohur prej mbeturinave se çdo gjëje tjetër….
Nëse ti i paafti ke zënë një vend të pamerituar pune dhe tani rrin e bën postime për të treguar sa shumë e dashke vendin – në fakt thjesht po shtiresh. Nuk mund të duash vendin duke qenë një parazit i cili e do vendin vetëm për ti pirë gjakun e vjedhë pasurinë. Vendi veç lëngon ashtu se duhet të të ushqejë ty, ndërsa duhet të jetë krejt e kundërta…
Vlojnë portalet e bashkë me to dhe patriotët online se sa “atdhetare” na shfaqet Rita Ora kur bën një koncert këtej nga lagjet tona. Nuk na bëhet aspak vonë pastaj që Rita mbathjet i vesh (siç ka thënë vetë) me ngjyrat e flamurit tonë, por për t’u mbuluar përdor tjetër flamur, e pastaj në shtrat me armikun…Por për ’patriotët’ rëndësi ka ngjyra e mbathjeve…
Disa nga politikanët tanë kanë thënë e bërë; “Partia mbi Shqipërinë”, dhe ‘patriotët e mëdhenj’ – sojsezët e FB i kanë duartrokitur pa ju dridhur dora e adhuruar si hyjni, njëlloj sikur të kishin thënë “Shqipëria mbi partinë”.
Shqiponja e bërë me duar të pista (jo nga puna e ndershme) nuk të bën aspak shqiptar, aq më shumë të mirë. Përkundrazi – ti ndot gjithëçka ka të bëjë me emrin dhe identitetin tonë.
Pastaj vetiu dalin përfundimet;
A mundet të duash diçka që nuk e njeh. Flas për gjuhën, historinë, vendin, origjinën, natyrën?!
A mund të duash diçka që ti e ndot pa t’u dridhur dora e pa të vrarë aspak ndërgjegja (a të vret ndërgjegja kur ajo nuk ekziton tek ty – atdhetari digjital?!)
A mundet të bësh thirrje për mbrojtje të vlerave të identitetit kombëtar kur ti vetë nuk din të shkruash, e jo më të veprosh për vendin?!
A mundet të urosh për prosperitet kur pengesa e prosperitetit je vetë ti, rrogëmarrësi i paditur e parazit?!
A urohet dita e pavarësisë, kur vetë ti nuk ke fituar pavarësinë nga injoranca?
Jo dhe jo!
Ndaj gjithë kjo ‘sëmundje’ kolektive me urime analfabetiske ka vetëm fytyrën e një sindrome të rrejshme patriotësh, që Zoti mos e dhëntë por nëse do ketë një rast për ta shitur këtë vend – këta janë të parët që i vendosin çmimin!
Historia na ka treguar se kombet, atdhetarizmi i të cilëve është shkatërruar, janë subjekt i rrënimit të tyre!
Edmund Burke thotë – “Arsimimi është mbrojtja e lirë dhe më e mirë e kombeve”. Por nga sa shohim nga FB – e kemi humbur totalisht këtë lloj mbrojtje.