Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit pa u bërë pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se AAK-ja ka dorëzuar aplikimin për certifikim vetëm pak orë para mbylljes së afatit zyrtar.
Vendimi që partia të garojë si subjekt i vetëm nënkupton se listës zgjedhore mund t’i bashkohen kandidatë nga subjekte të tjera, por pa ndryshuar emrin përfundimtar të listës në fletëvotim.
Edhe PDK-ja dhe LDK-ja do të garojnë individualisht, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur një koalicion të përbashkët me partinë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në. Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate ende nuk e ka bërë të ditur nëse do të formojë ndonjë koalicion apo nëse anëtarët e saj do të rreshtohen në listat e partive të tjera.
Në zgjedhjet e fundit të shkurtit, AAK-ja dhe Nisma garuan së bashku, duke fituar tetë ulëse në Kuvend.

