Rrnoftë Krishti Mbret
Rroftë Shqipnija,
Monsinjor Frano Gjinin e kishin varun në një pemë dhe po e torturonin, Zoi Themeli me Pjerin Kçirën
Tri dëshmi mbi torturat e 14 muajve hetuesi, që provoi 62-vjeçari monsinjor Frano Gjini, para se të pushkatohej.
Monsinjor Frano Gjini, ishte 62 vjeç, kur e nxorën para togës së pushkatimit mëngjesin e 11 marsit 1948. Ai ishte abati i fundit i Abacisë së Oroshit. Ishte po ashtu përfaqësuesi më i lartë i Vatikanit në Shqipëri. Kishte guxuar të kundërshtonte Enver Hoxhën, duke mos iu bindur që të bënte shkëputjen e kishës katolike prej Vatikanit dhe si përgjigje e kësaj ishin 14 muaj tortura, një gjyq farsë e plot akuza të rreme dhe rreshtimi para togës së pushkatimit, ende pa aguar 11 marsi i ’48, afër varrezave të Rrmajit. Pas të shtënave me breshëri atë mëngjes, gjithçka u la në terr. Eshtrat e tij ende nuk dihet ku janë.
Por pse duhej të torturohej aq mizorisht, një i moshuar si ai, deri në çastet e fundit të jetës? Dëshmitë rreht këtyre torturave, që mbërrijnë deri në ditët e sotme, janë rrëqethëse.
Prof. Adem Bazhdari, ka lënë këtë dëshmi:
“Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t’a pijë Monsinjorit, që kishte ma shumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor, piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini hodhi poshtë At Matin… mendueme se e mbytën por, jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!… Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: “Për hatër të Zotit!….” dhe fshani… Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i venin gjithnjë”.
At Konrad Gjolaj në librin e tij “Çinarët” publikon këtë dëshmi të motër Gjyzepinës, e cila thoshte se mbas pak ditësh, pas arrestimit, fytyra e tij ishte bërë “si letër cingareje, dobësue sa kurr nuk mund të merrsh me mend, se do të mundet me qindrue për aq shumë muej ndër tortura. Ishte aq i ftofun prej ndejtjes në podrumet me ujë, sa ishte bllokue në gjoks dhe kollitej tue nxjerrë gjak. Ngjyra e verdhë e smundjes dhe e mundimeve i nepshin pamjen e një shejti të vërtetë. Trupin e kishte të nximë dhe me plagë këmisha nuk i shkopej prej trupit. Megjithatë nuk i ndigjohej zani”.
Po ashtu mbesa e tij e vetme, Rozina Gjini, atëkohë fëmijë, kujton se nëna e saj e cila shkonte në Degën e Brendshme e i çonte ndërresa të lara monsinjor Gjinit, sa herë i merrte rrobat e palara traumatizohej.
“Nana thoshte ishin t’mbulueme me gjak. Mos o Zot! Sa herë i ka marrë teshat e axhës, ishin t’muluemeve me gjak prej torturave. E mbaj mend që i lante n’oborr, në t’ftoft, jashtë. Mos o Zot, thoshte nana! Veç Zoti e din sa ka vujt ai nen tortura!”
E gjithë kjo periudhë prej 14 muajsh kaloi nën tortura. Pas gjyqit farsë zhvulluar në ditët e para të janarit 1948, Monsinjor Frano Gjini, do të dënohej me vdekje. Pa i marrë parasysh lutjet dhe ankesat për ta anulluar dënimin me vdekje, krerët më të lartë të regjimit lënë në fuqi dënimin kapital dhe presin të dëgjojnë fjalët e tij të fundit, duke shpresuar deri në fund se do ia thyejnë besimin e do ta përulin, por fjalët e fundit të Monsinjor Gjinit ishin një tjetër shuplakë për regjimin gjakatar.
Para se plumbat ta përshkonin trupin e tij ai tha: “Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe katolikët në botë! Roftë Papa, gjaku dhe trupi jem mbetet këtu, pse shpirti dhe zemra ishte tek Papa, Rroftë Shqipnija!”…
Burimi: Shoqnia Bashkimi