Nga Milaim Nela

Është ndarë nga jeta një nga emblemat e Nacionalizmit Shqiptar, Abdi Baleta.

Një diplomat që veprimtarinë e tij e kishte në dy epoka atë të komunizmit dhe demokracisë. Ajo që i bashkon këto epoka është mbrojtja që ai i bëri shqiptarizmit si në të parën ashtu edhe të dytën.

Do ishte kjo mbrojte që ai i beri çeshtjes kombëtare si ambasador në OKB duke dalë jashtë kornizave që i kishin vënë, që ta kthenin në atdhe e ta zhvishnin nga të gjitha rolet diplomatike e politike.

Për herë parë emrin e tij a kam dëgjuar dhe e kam parë gjatë ditëve të grevës së urisë të studentëve të Universitetit të Tiranës në shkurt të vitit 1991.

Elokuenca e tij si atëherë por edhe më vonë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë binte në sy pasi jo vetëm ishte nga më të përgatiturit në atë sallë por nga të rrallët për të mos thënë i vetmi zë i qartê e i vendosur në mbrojtje të interesit kombëtar shqiptar që rrezikohej shumë nga orekset e rritura të qarqeve shoviniste greke që ishin bërë shumë influente në Shqipëri sidomos pas vizitës së Konstantin Micotaqisit në vitin 1991 i cili duke shfrytëzuar një shtet të varfër dhe në gjunjë shqiptar kërkonte ringjalljen e protokollit të Korfuzit të vitit 1914 dhe çdo mbështetje për Kosovën e kushtëzonte me të drejta dhe kërkesa të njëjta të të ashtquajturit Vorio-Epir.

Fjalimi i tij dhe debati parlamentar me Panajot Barkën në Parlamentin shqiptar në vitet 90të do mbetet në historinë e parlamentarizmit shqiptar si nga pikat më kulmore te mbrojtjes ae interesit kombetar shqiptar. Brilanca dhe elokuenca e tij bëri që edhe një kundërshtar politik si Xhelil Gjoni ti jepte kohën e tij e ky moment të mbetet i papërsëritshëm deri sot për Kuvendin e Shqipërisë.

Abdi Baleta për shkak të fibrës së tij politike diturisë së jashtëzakonshme karizmës, influencês e impaktit të tij të padiskutueshëm në publik nuk do të lejohej të futej më në Kuvend përtej një mandati duke na dëshmuar qartë influencën e fqinjit jugor. Që nga ajo kohë kemi parë dhe ndjere që influenca greke qoftë përmes Kishës qoftë edhe përmes lobeve në SHBA që kushdo që ka guxuar të mbajë një qëndrim atdhetar në një kohë të caktuar përballë shovinizmit grek të mos arrijë të futet përmes asnjë partie në Kuvendin e Shqipërise. Dy tre shembuj kandidatësh i kemi vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit për të cilët nuk u la gur pa u luajtur që të mos merrnin votat e nevojshme e për rrjedhojë të liheshin jashtë parlamentit.

Aq e dukshme është bërë sot influenca greke saqë nganjëherê të krijohet ideja se asnjë parti nuk i publikon listat e kandidatëve pa marrë paraprakisht miratimin e ambasadês greke!

Edhe në ditet e tij më të mira parlamenti shqiptar ka qenë çyryk pa zërin e Abdi Baletës se me deputetët e sotëm është si të krahasosh luanin me mizat e kalit.

U akuzua si antigrek por Baleta nuk ishte antigrek ai ishte thjesht një mbrojtës i kombit të tij.

U akuzua si islamofil por në fakt ishte shqiptar 24 karat që vendosi gjithmonë kombin mbi fenë.

Abdi Baleta ju ka lënë shqiptarëve një publicistikë dhe vepër të jashtëzakonshme e me shumë vlerë. Vepra e tij është manual për politikanin që ka në zemër interesin e kombit shqiptar.

Unë e kam ndjekur veprimtarinë e tij në vazhdimësi nga shkurti i vitit 1991 e këtej e kam mësuar prej tij. Po ashtu jam ndikuar jo pak prej këtij kolosi të diplomacisë kombëtariste.

Ai kurrë nuk bëri kompromis me idetë e tij dhe interesin kombëtar të cilin e mbrojti deri në frymën e fundit.

Kam qenë me fat që shkrimet e mia të para në shtypin shqiptar i kam në Gazetën RIMËKEMBJA të cilën ai e udhëhoqi për gati 15 vjet.

Abdi Baleta mbetet nga publicistët më të mirë shqiptarë të kohës së tij.

Ai ishte ndër të rrallët që ju shpjegoi shqiptarëve se ç’është nacionalizmi duke e ndarë atë nga shovinizmi.

Luajti një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e çeshtje kombëtare e sidomos në përkrahje të Kosovës gjate viteve më të vështira tē saj sidomos me publikimet e tij të rregullta në gazetën kombëtare Bota Sot nga viti 1997 e deri në çlirimin e saj por edhe më vonë si në këtë medium por edhe në vitet e mëvonshme në revistën e njohur SHENJA të Shkupit.

Kur ftohej në studio televizive ishte makthi i moderatorëve pasi këto të fundit frikësoheshin se ju del jashtë kornizave dhe kufizimeve të pronarëve të tyre.

Gjatë rrugëtimit të tij bëri shumë armiq rrugës. Nga disa nuk u kuptua! Nga shumë u keqkuptua por më së shumti sulmet ndaj tij ishin të sponsorizuara fuqishëm që ai të ngelej i izoluar e zë i vetmuar e deri diku ja arritën pasi shumë baltë është hedhur mbi të.

Dje familja ka humbur njeriun e dashur. 

Mati i burrave të mëdhenj ka humbur një nga bijtë e tij më të mirë.

Politika dhe diplomacia ka humbur një burrë dhe peshë të rëndë të cilit nuk diti apo nuk deshi ta shfrytëzojë e t’i marrë më të mirën.

Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë kanë humbur një nga intelektualët dhe mbrojtësit e saj më të spikatur që shumë rrallë i vijnë këtij kombi.

Baleta ka thënë: ‘Vetëm Nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar’.

Faleminderit për veprën që na le. 

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *