Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se është i gatshëm të japë dorëheqje nga posti i tij, nëse një kërkesë e tillë vjen nga Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në parti, Abdixhiku theksoi se të gjitha çështjet, përfshirë edhe përgjegjësinë e tij politike, do të trajtohen dhe diskutohen në mënyrë të hapur në Kuvendin e Përgjithshëm. Sipas tij, vendimmarrja brenda partisë duhet të jetë institucionale dhe në përputhje me vullnetin e strukturave drejtuese.
“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e përgjithshëm. Natyrisht, jap dorëheqje pa asnjë diskutim”, ka deklaruar Abdixhiku, duke nënvizuar se respekton çdo vendim që del nga organet më të larta të partisë.
Kjo deklaratë vjen në një kohë debatesh dhe analizash brenda LDK-së pas zhvillimeve të fundit politike, ndërsa pritet që Kuvendi i Përgjithshëm të përcaktojë hapat e ardhshëm dhe drejtimin e partisë në periudhën në vijim.

