Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se e merr përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se llogari do t’i japë vetëm partisë dhe votuesve të saj.
Në një konferencë për media të dielën mbrëma, Abdixhiku prezantoi rezultatet preliminare të mbledhura nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së.
“Sipas numërimit tonë, LDK-ja ka marrë 158.954 vota ose 18.1 për qind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 347.543 vota apo 39.8 për qind. PDK-ja ka siguruar 190.363 vota ose 21.8 për qind, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota ose 7.6 për qind,” tha Abdixhiku.
Ai shtoi se pret që votat nga diaspora të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të LDK-së. “Besojmë se nga mërgata do të marrim rreth 30 deri në 35 mijë vota, që mund të na çojnë në rreth 190 mijë vota,” u shpreh ai.
![img44251png | Kumti](https://kumti.net/wp-content/uploads/2025/01/img_4425-1-2.png)
Megjithëse theksoi rritjen e konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, ku partia kishte marrë vetëm 110 mijë vota, Abdixhiku pranoi se rezultati aktual nuk është i kënaqshëm.
“Nëse populli nuk më ka parë si kryeministër këtë herë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme në Kuvendin e Kosovës,” deklaroi ai, duke shtuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje.
Pavarësisht rezultatit, Abdixhiku vlerësoi procesin zgjedhor si demokratik dhe uroi të gjitha partitë për angazhimin në këtë garë elektorale.