Nga Hasan Bello
Pozita e Britanisë së Madhe në shekullin XIX ishte më e fuqishme se ajo e Shteteve të Bashkuara sot. Ambasadorët britanikë kishin një peshë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. Kur përmendeshin “Fuqitë e Mëdha”, menjëherë vinte në mend Anglia, Franca dhe Rusia. Për këtë arsye, drejtuesit e Perandorisë Osmane përpiqeshin të mbanin marrëdhënie sa më të mira, jo vetëm me ambasadorët, por edhe me diplomatët e niveleve të tjera. Një nga praktikat e sulltan Abdylhamidit II ishte “kompromentimi” i tyre me dhurata.
Në vitin 1878, rusët dolën fitues në luftën me Perandorinë Osmane dhe vendosën shtabin e tyre në një lagje të njohur të Stambollit (Yeşilköy). Ishin ditët kur perandoria kishte më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar. Sulltani dëshironte t’i dhuronte zotit Sandison, Sekretarit të Parë të Ambasadës Britanike në Stamboll, një kuti cigaresh të zbukuruar me bizhuteri të çmuara. Por Sandison nuk mund ta pranonte këtë dhuratë pa dijeninë dhe miratimin e ambasadorit. Prandaj, në mënyrë të sjellshme, e refuzoi përkohësisht dhe u kthye në ambasadë, ku e pyeti eprorin e tij, ambasadorin britanik Henry Layard, se çfarë duhej të bënte.
Layard i shkroi menjëherë ministrit të Jashtëm britanik, Lord Salisbury, duke e informuar për situatën dhe duke theksuar se nuk mund të pranonin një dhuratë të tillë pa miratimin e tij.
Pas përshëndetjeve formale në letrën zyrtare, Salisbury u përgjigj shkurt dhe prerë:
“It depends on the service which is expected.”
(“Kjo varet nga shërbimi që pritet.”)
Me fjalë të tjera: “Përpara se të marr një vendim, dua të di për çfarë shërbimi është menduar kjo dhuratë.”
Ky ishte niveli i ndjeshmërisë dhe ndershmërisë së diplomatëve britanikë — një nga arsyet pse për shekuj me radhë, Mbretëria e Bashkuar mbajti epitetin “mbretëresha e deteve”.