Një gjykatë në Britani ka dënuar pesë shtetas, shqiptarë dhe rumunë, me një total prej 40 vjetësh burg, për përdhunimin dhe abuzimin seksual të gjashtë vajzave të mitura gjatë një periudhe katërvjeçare, nga marsi 2015 deri në maj 2019, raporton DailyMail.
Autorët e krimeve, tashmë të rritur, u akuzuan për përdhunim, sulme seksuale dhe trafik droge. Sipas dëshmive të gjyqit, ata shfrytëzonin të miturit duke u ofruar cigare dhe alkool në këmbim të kryerjes së akteve seksuale me persona të ndryshëm. Sulmet ndodhën në vende të ndryshme në Gateshead, përfshirë një bordello dhe një park.
Viktimat dëshmuan për tmerrin që përjetuan. Njëra prej tyre tha se jeton me frikë të vazhdueshme nga burrat dhe se trauma e ka ndikuar thellë jetën e saj të përditshme, duke refuzuar shërbime nga meshkujt dhe duke ndier ankth për sigurinë personale.
“Trauma nuk do të zhduket kurrë. Do ta kujtoj gjithmonë atë që ndodhi. Procesi ligjor më detyroi të rijetoja këtë përvojë të tmerrshme”, u shpreh ajo.
Një tjetër vajzë rrëfeu se kujtimet e bukura të fëmijërisë iu shkatërruan nga sulmet në park, ndërsa një e tretë theksoi se nuk arriti të përjetonte një adoleshencë normale dhe kishte humbur besimin te njerëzit.
“Jam e trishtuar që nuk isha në gjendje të jetoja një jetë normale adoleshente. Kam humbur të gjithë besimin te njerëzit, ndihem e sigurt vetëm në shtëpinë time”, deklaroi ajo.
Gjatë gjyqit, pesë të dënuarit mohuan akuzat, ndërsa një i gjashtë u lirua nga të gjitha pretendimet. Gjykatësja theksoi se kombësia e autorëve nuk ka rëndësi dhe se disa prej tyre ishin të mitur në kohën kur kryen krimet, ndërsa motivi lidhej me kënaqjen e fetisheve të tyre seksuale.
Prokurorja e çështjes nënvizoi se ligji duhet të mbrojë personat më të dobët të shoqërisë dhe se viktimat shpesh nuk e kuptojnë menjëherë shkallën e shfrytëzimit që u është bërë.
Shefi i Policisë e përshkroi hetimin si një proces të gjatë dhe kompleks, duke e cilësuar bandën si “grabitqarë që shënjestronin anëtarët më të cenueshëm të komunitetit”. Ai vlerësoi guximin e viktimave që çoi autorët para drejtësisë dhe theksoi se mbështetja për to do të vijojë, me shpresën se dënimi do t’i ndihmojë të rindërtojnë jetën e tyre.

