Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar masa sigurie ndaj disa zyrtarëve dhe biznesmenëve, në kuadër të një hetimi të thelluar për abuzime me tendera publikë. Me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është vendosur masa “arrest shtëpie”.
Mirlinda Karçanaj ishte paraqitur më 3 dhjetor në ambientet e SPAK-ut, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedurat e tenderëve të zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Hetimet për këtë çështje kishin nisur prej gati një viti dhe përfshijnë dyshime për shkelje në 12 procedura tenderimi.
Ndërkohë, në muajin qershor, me urdhër të SPAK, ishin ushtruar kontrolle në banesa dhe në zyrat e bizneseve të Ergys Agasit. Po ashtu, mëngjesin e sotëm, dy skuadra të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të shoqëruara nga patrulla të Policisë së Shtetit, kanë zbarkuar në ambiente në pronësi të biznesmenit, duke kontrolluar katër lokacione, banesa në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese që ai zotëron.
Përveç masave ndaj Agasit, Karçanajt dhe Beqirit, GJKKO ka caktuar masa sigurie edhe për disa zyrtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave (KVO) në AKSH, si dhe për disa anëtarë të shqyrtimit të ankesave.
Personat ndaj të cilëve janë vendosur masat e sigurisë, përfshirë edhe zyrtarë të tjerë emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publikë, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

