Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përshëndetur fitoren historike të Kombëtares në Göteborg, ku Dardanët triumfuan 0-1 ndaj Suedisë, duke e konsoliduar pozitën e tyre në grupin eliminator.
Ai theksoi se suksesi i arritur në “Ullevi Stadium” dëshmon se fitorja 2-0 në Prishtinë një muaj më parë nuk ishte rast i izoluar, por rezultat i rritjes së vazhdueshme të ekipit kombëtar.
Ademi shprehu mirënjohje për tifozët dardanë që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme në tribuna, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë kyçe për ekipin.
Deklarata e plotë e Agim Ademit
“Urime fitorja e madhe Kosovë. Çfarë fitore, çfarë emocioni, çfarë krenarie… E mposhtim sërish Suedinë dhe e blindojmë pozitën e dytë në grup.
Këta djelmosha thjesht të lënë pa fjalë dhe na japin krenari të pashterrshme me talentin dhe shpirtin e tyre luftarak. Fitorja e një muaji më parë në ‘Fadil Vokrri’, sonte në Göteborg u dëshmua se nuk ishte e rastësishme, por konfirmim i rritjes së madhe të Kombëtares sonë dardane.”