Ngjarja ndodhi në shkollën e fshatit Cakran të Fierit ku një 17-vjeçar goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij. 

Policia njoftoi se ka shoqëruar autorin ndërsa i plagosuri ka marrë goditje në krah.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambjentet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle).

Shtetasi Y. Xh., u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar, në Komisariat për veprime të mëtejshme shtetasin B. D, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë).

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Ngjarja e rëndë në Fier vjen pas tragjedisë së disa javëve më parë të ndodhur në Tiranë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani. Ai u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’.

Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçe i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Rasti i sotëm në Fier nuk është i vetmi që vjen pas humbje së Martinit. Ditët e fundit janë raportuar sherre mes të rinjsh në shkolla dhe pranë tyre, qoftë edhe duke poseduar mjete prese në disa zona të vendit si në Tiranë e Peshkopi.

By Editor