Mbrëmjen e djeshme Kuvendi zgjodhi Endri Shabanin si Avokatin e ri të Popullit. Pas votimit, reagimi më i fortë erdhi nga kandidatja Adriana Kalaja, e cila kishte siguruar mbështetjen më të lartë brenda Partisë Demokratike.

Në një status në rrjetet sociale, Kalaja akuzoi si PD-në ashtu edhe kreun Sali Berisha për “shkeljen e kontributit të saj”, duke theksuar se marrëveshja për të votuar Shabanin ishte bërë në kurriz të saj. Ajo i cilësoi 69 votat kundër si tregues të frikës së kryeministrit Edi Rama.

Sipas saj, vetë prania e Ramës në seancën e votimit kishte vetëm një arsye: “frikën se mos i rridhte një votë” në favor të saj. Kalaja deklaroi se pavarësisht këtij rezultati, beteja e saj politike nuk përfundon.

Ajo shtoi se dosjet që, sipas saj, implikojnë kryeministrin – si çështja “McGonigal” dhe pretendimet për pasurinë në Surrel – janë dërguar në Senatin dhe Kongresin Amerikan si edhe në Ambasadën e SHBA-së.

Kalaja, në reagimin e saj të plotë, e cilëson votimin e djeshëm një tjetër “fitore”, pavarësisht rezultatit, duke theksuar se mbështetja e qytetarëve është për të “një referendum” që e zhgjedh si Avokate të Popullit në sytë e tyre.

Ajo u zotua se do të vazhdojë të veprojë “si Avokate e Popullit” edhe jashtë funksioneve të saj aktuale në PD, duke premtuar se nuk do t’i ndërpresë betejat e saj ndaj, siç e quan ajo, “narko-regjimit”.

Në fund, ajo përsëriti akuzat ndaj kryeministrit dhe tha se dokumentacioni përkatës i është përcjellë institucioneve të larta amerikane.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *