Adriatik Lapaj në një lidhje direkte me gazetarin Arian Çani, në emisionin Zonë e Lirë u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka ofruar postin e zv.kryeministrit.
Sipas Lapajt, oferta është erdhi në përpjekje për ta përfshirë atë në strukturat qeverisëse, ofertë që ai e ka refuzuar kategorikisht, duke theksuar se nuk mund të bëhet pjesë e një qeverisjeje që, sipas tij, mban përgjegjësi për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe varfërimin e qytetarëve.
“Postet nuk janë zgjidhje për problemet e vendit. Shqipëria ka nevojë për ndryshim rrënjësor dhe jo për marrëveshje personale apo pazare politike”, ka deklaruar Lapaj, duke shtuar se angazhimi i tij mbetet në anën e qytetarëve dhe jashtë çdo kompromisi me pushtetin aktual.
Lapaj ka nënvizuar se oferta e Ramës tregon frikën e qeverisë nga zërat kritikë dhe përpjekjen për t’i neutralizuar ata përmes posteve dhe privilegjeve. Ai ka theksuar se do të vazhdojë betejën politike dhe qytetare kundër asaj që e cilëson si një sistem të korruptuar dhe të mbyllur.
Deklarata e Lapajt pritet të sjellë reagime edhe nga qeveria, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kryeministri Rama do ta konfirmojë apo mohojë publikisht këtë pretendim.

