Protestat e organizuara nga juristi dhe aktivisti politik Adriatik Lapaj kanë hyrë sot në ditën e tretë, ndërsa ai u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen çdo ditë në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”. Në një postim publik, Lapaj theksoi se ndryshimi nuk mund të vijë nga rrjetet sociale, por vetëm nga angazhimi i drejtpërdrejtë i njerëzve në terren.

“Edi Rama nuk rrëzohet nga Facebook-u, por nga sheshi dhe pa u tërhequr! Veprat i dallojnë ata që e kanë seriozisht,” shkruan Lapaj, duke nënvizuar vendosmërinë për të vazhduar presionin ndaj qeverisë.

Gjatë dy ditëve të para të protestës, qytetarët janë mbledhur në shesh, ndërsa organizatorët kanë theksuar se protesta do të vijojë pa ndërprerje derisa – siç shprehen ata – “të ndalet arroganca qeveritare dhe të kërkohen llogari për abuzimet”.

Lapaj u ka bërë sërish thirrje qytetarëve të bashkohen:

“Ju pres çdo ditë në 17:00 te sheshi!”

Pritet që protesta e ditës së sotme të sjellë një pjesëmarrje edhe më të madhe, pasi lëvizja ka marrë vrull në rrjetet sociale dhe në terren.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *