Adriatik Lapaj ka vijuar protestën e tij para Kryeministrisë. Në një lidhje live në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Lapaj shpjegoi se protesta ka nisur fillimisht vetëm, duke theksuar se ndryshimi vjen nga vullneti i individëve.
Ai foli edhe për vendosjen e çadrës ditën e djeshme, e cila u kundërshtua nga forcat policore, dhe bëri thirrje që të gjithë ata që ndjejnë nevojën të bashkohen në protestë. Lapaj akuzoi mazhorancën aktuale për afera korruptive dhe u shpreh se kjo qeveri, përkundër pritshmërive për rrotacion politik, fitoi zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki.
Lapaj theksoi se qëndrimi në protestë do të vazhdojë “deri sa ta lejojë limiti biologjik” i trupit.
“Themeli i fortë i një demokracie është individi. Nuk kam besuar te protestat e mëdha, e nisa vetëm. Çdo njeri që e ndjen, të bashkohet në formën e vet. Në orën 17:00 kemi ritualin e protestës, që çdo ditë do të jetë edhe më e madhe. Ka pasur njerëz që kanë qëndruar deri në orën 5 të mëngjesit, e të tjerë rrinë vazhdimisht këtu. Kur pyet një përfaqësues të shtetit për bazat e vendimeve, dhe s’të përgjigjet, e kupton vetë. Vendosja e tendave është një veprim demokratik, si në SHBA, por shpërfillja nga institucionet është e tmerrshme.
Korrupsioni është në rritje, ministrat kapen duke vjedhur dhe shpesh nuk mbajnë përgjegjësi. Askush nuk mund të kuptojë se si dikush i kapur gafil duke vjedhur bëhet më i fuqishëm. Nuk ka logjikë që të shkohet në zgjedhje të pjesshme dhe të fitohen 75% e votave. Nëse njerëzit shtohen dhe imponojnë dorëheqjen e Ramës, kjo do të ishte arritja e protestës. Do të qëndrojmë këtu deri në limitin biologjik të trupit.
Vjedhjet kërcënojnë jetën e qytetarëve, siç ndodh me mungesën e hekurit në tunelin e Llogarasë apo rrezikun nga rrëzimi i malit në Qafë-Plloçë. Nuk bëhet fjalë vetëm për vjedhje, por për rrezikim të jetës së qytetarëve”, tha Lapaj.

