Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke vendosur se vendimi i saj nuk ka efekt juridik. Sipas këtij aktgjykimi, deputetët kanë 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, legjislatura shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, pra më së largu deri më 7 qershor.

Vendimi i Kushtetueses erdhi pas kërkesave të Qeverisë dhe deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët kërkuan verifikimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit. Gjykata theksoi se Dekreti nr. 24/2026, i nxjerrë më 6 mars, “nuk ka fuqi ligjore”.

Sipas aktgjykimit, Kuvendi duhet të përfundojë procesin e zgjedhjes së presidentit brenda 34 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit. Nëse zgjedhja nuk realizohet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e reja parlamentare duhet të organizohen brenda 45 ditësh.

Kushtetuta e Kosovës parashikon që presidenti të zgjidhet të paktën 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Ky afat përfundoi më 5 mars, kur u mbajt seanca për zgjedhjen e presidentit, e bojkotuar nga partitë opozitare, duke pamundësuar arritjen e kuorumit. Pas kësaj, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, i cili u sfidua në Kushtetuese. Deri më tani, ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të parakohshme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *