Gjykata e Posaçme ka urdhëruar masa sigurie ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Siç raportohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, ndaj Ballukut është vendosur pezullimi nga detyra, si dhe ndalimi i daljes jashtë territorit shqiptar.
Tre javë më parë, Prokuroria e Posaçme e ka marrë Ballukun të pandehur në kuadër të hetimeve për aferën e lidhur me projektin e tunelit të Llogarasë.
Akuzat dhe hetimet e SPAK
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publikë, në lidhje me procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në segmentin Orikum–Himarë, pjesë e autostradës SH8. Tenderi u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua, dhe më pas u rihap më 22 qershor 2021 me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.
Hetimet filluan pas kontrollit në banesën e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, në shkurt 2024, ku u sekuestruan pajisje elektronike dhe dokumente. Ekspertimet e këtyre pajisjeve nxorën në pah komunikime të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, që çuan në ngritjen e një dosjeje që përfshin edhe kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.
Sipas SPAK, Balluku rezulton të jetë përfshirë në komunikime me Berberin gjatë periudhës që ai drejtonte ARRSH-në, ndërsa roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderëve publikë mbetet në fokus të hetimit.
Tenderi i tunelit të Llogarasë, i hapur më 1 dhjetor 2021, u fitua në mars 2022 nga konsorciumi “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, pasi kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u përjashtuan për shkelje të kushteve të tenderit. SPAK dyshon se këto skualifikime mund të kenë qenë të qëllimshme, për të favorizuar konsorciumin fitues, për shkak të lidhjeve të Berberit me biznesmenin Valter Begaj dhe me ministren Balluku.
Hetimet vazhdojnë gjithashtu me tërheqjen e dokumenteve nga ARRSH mbi procedurat e mbikëqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë dhe verifikimin e aksioneve të kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 u dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.

