Nga Idriz Lamaj

Agnia Vasiljevna Desnickaja lindi me 23 gusht të vitit 1912 në Sednjev të krahinës Çërnogovës. Mbasi i mbaroi në vendlindje mësimet fillestare dhe të mesme, filologjinë e gjuhës gjermane e kreu në Istitutin Pedagogjik të A. I. Hercenit në Leningrad.  Disertacionin e magjisturës me 1935 dhe atë të doktoratës me 1946 i mbaroi me sukses në Institutin shkencor-hulumtues të gjuhësisë në Universitetin e Leningradit. 

Në fillim të veprimtarisë së saj shkencore, Agnia Vasiljevna u muar me çështje të gjermanistikës dhe gjuhësisë krahasuese-historike. Kështu, prodhimtaria serioze në fushën e specializimit të lartëpërmendur, e bëri të njohur emërin e saj, këtu e gjysëm shekullit më parë. Nga kjo fushë vlen të përmendet monografia “Alternimet e zanoreve në gjuhët gjermane”, studimet, “ Foljet kalimtare dhe jo kalimtare në gjuhën e vjetër islandeze”, “ Lidhjet e lashta gjuhësore gjermano-shqiptare shikuar në dritën e çështjeve të gjuhësisë areale indoeuropiane ”. 

Qe nga botimi ktij studimi, Vasiljevna u interesua të mësonte në thellësi gjuhën shqipe, sepse, për këtë shkenctare të shquar ndërkombëtare, “faktet e gjuhës shqipe janë të paevituara për të ndriçuar shumë probleme të gramatikës krahasimtare indoieuropiane, të  leksikut, të fonetikës dhe të gramatikës së gjuhëve Ballkanike”, etj. Në të njejtën kohë, për Desnickajen “rëndësia e shqipes për studime diakronike qendron se ajo është gjuhë e vetme e Europës Juglindore, e cila nuk e ka ndërprerë linjen e  zhvillimit nga njëra prej grupit të gjuhëve Paleo-Ballkanike.”

Vepren e madhe shkencore-hulumtuese ajo e gërshetoi me sukses në veprimtarinë e saj pedagogjike dhe shkencore organizative.  Pa ndërprerje mbajti ligjerata dhe botoi nga gjuhsia e përgjithshme dhe indoeuro-pianistika, ballkanistika dhe albanologjia, nëpër institutet e gjuhëve të huaja dhe në tubime akademike ndërkombtare.

Me nismen e saj dhe kërkesën këmbëngulëse, Agnia Desnickaja në vitin 1957 e hapi Seksionin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Leningradit për të cilin  seksion edhe sot përkujdeset dhe e udhëheq Degën e Gjuhës Shqipe që është e vetmja qendër në Bashkimin Sovjetik në të cilën përgaditën specialistë të gjuhës shqipe. 

Studimet albanistike të Desnickajës lidhen ngusht me kërkesat që bëri në treven shqiptare dhe kontaktet e kembimet  e mendimeve me shkencëtarë të njohur shqiptar. Këtu duhet shquar fakti se gjatë marrëdhënieve partiake shtetërore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, (1949-1960), në krye të disiplinave të ndryshme të studimeve të kulturës tonë kombëtare ishin vu pseudoshkenctar e specialistë të partisë, gjë që rusifikimi i kulturës shqiptare përhapej me shpjetësi në të gjitha fushatë. Gjuhtarë dhe studiues si Eqrem Çabej, Selman Riza i Gjakovës, Mahir Domi,  e sa e sa të tjerë ishin menjanuar dhe studimet e tyre kalonin nëpër duartë e cenzurimit  partiak. 

Në atë periudhë Desnickaja ndodhej në Shqipëri dhe ishte duke dhënë kontributin e saj në organizimin e themelimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Kjo gjendje e vështirë i ra menjëherë në sy, dhe duke qenë e bindur në mendimet  e saj të pa lëkundshme, ndërhyri enerigjikisht pranë autoriteteve të rregjimit dhe të gjithë studiuesit e lartëpërmendur i vuni në krye të punës dhe iu dha mbështetjen e vet të gjithanëshme. Në të vërtetë, vetëm me ardhjen e saj në Shqipëri iu dha rasti Prof. Çabejt dhe Prof. Selman Rizës që të jepnin provimet e thezave të docenturës në lidhje me çështje gjuhësore shqiptare.

Përshtypjet që i lanë studiuesit shqiptar, posaçerisht Prof. Eqrem Çabej, e bën që në secilin vend, Desnickaja nuk mungoi me shqua aftsinë e tyre, ndërsa Prof. Çabejn e cilësoi si shkenctar të kalibrit europian, dhe një prej gjuhtarëve më të mëdhenj dhe më prodhues të Ballkanit. 

Gjatë qendrimit dhe vizitave që i bëri Shqipërisë, ajo shfrytëzoi secilën kohë dhe u thellua gjer në përsosmëri në gjuhën shqipe, posaçerisht e tërhoqi thesari i vlerave gjuhësore në trevën e Shqipërisë Veriut, sidomos të Shalës, Shoshit, Nikajve, Mërturit, Malësisë Gjakovës dhe Hasit.

Mbas prishjes së marrëdhënieve politike (përfshirë edhe ajo kulturore dhe ekonomike) midis Tiranës dhe  Moskës, Desnickajes iu pren mundësit e vazhdimit të kontakteve direkte qoftë me trevën apo shkenctarët shqiptar. Megjithate, frytet e mbledhura dhe të studiuera me kujdes në lidhje me çeshtjet e gjuhës shqipe në fushën ndërkombëtare ajo i botoi njërën pas tjetrës: “Çështjet e studimeve europiane”, (1956), “Gjuha shqipe dhe dialektetet e sajë”, (1968), “Trajtat mbidialektore të gjuhëve dhe rëndësia e tyre për historinë e gjuhëve” (1970), “Gjuhësia krahasimtare dhe historia e gjuhëve”, etj. etj.

Seria e studimeve të lartëpërmendura dhe sa e sa studime të tjera të thella lidhen drejtë përsëdrejti me albanistiken dhe zanë vend të merituar sepse janë paraqitë me dinjitet të një shkence pa paragjykime politike dhe ideologjike ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse ato zanë vend të palekundur nga arsyeja e kompetencës së studimit dhe aq më tepër se Desnickaja është e vetmja shkenctare e ritit ortodoks sllav që ka kaluar paragjykimet antishqiptare, që në të vërtetë janë inskenue nga trolli rus dhe janë shpërnda në mënyra çfrenuese dhe propaganduar nga përcjellësit e studimeve, serbe, bullgare, maqedone, malazeze dhe greke.

Desnickaja pohon se  gjatë punës kërkimore-shkencore e kanë preokupuar këto sfera të albanistikës: “Dialektologjia, fillimet e formimit të gjuhës shqipe letrare, folklori, çështja e koines folklorike të Veriut;  çështjet gramatikore, ajo e sistemit emror, problemet e fonetikës, çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe, periodizimi i historisë së gjuhës shqipe, çështja e rindertimit të shqipes së vjetër.” Dhe,  thënë të vërtetën, në secilën disiplinë të shquar me lartë ajo ka dhënë kontribut të çmueshëm shkencor. 

Duke pas parasysh të gjitha këto studime shkencore si asnjë albanolog tjetëër  i racës sllave, nuk duhet të çuditemi kur në Konferencësn Ndërkombëtare të Studimeve të Sllavistikës, të mbajtur në gusht të vitit 1973 në Varshavë, Desnickaja që ishte në krye të delegacionit Sovjetik paraqiti kumtesën me titull: “Mbi lidhjet boshjnjake-shqiptare në laminë e poezisë epike”. Kjo kumtes, pikërisht merret me problemin enigmatik të ciklit të Këngëve të Agallarëve të Jutbinës – Këngët e Mujit dhe të Halilit, në marrëdhënie me këngët serbokroate, boshnjake të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Për më tepër se 70-të vjet, cikli i këngëve kreshnike shqiptare, posaçerisht ai mbi Mujin dhe Halilin, që në Parathënien ( e pa nënshkruar ) e vëllimit “Kangë popullore gegnishte” ( Sarajevë – 1911) të Vinçenc Prenushit, e deri në përmbledhjen, “komentimin dhe përkthimin” e “Albanske Junaçke Pesme” të Dr. Dragutin Miqoviqit, botuar me 1982 në Jugosllavi; studiues të huaj janë marrë shpesh me këtë cikël këngësh shqiptare dhe i kanë quajtur të bartura, të  përkthyer, bazuar në traditën e këngëve boshnjake muslimane të Bosnjes. Këtë thezë të një anshme e kanë mbajtë gjall sllavistë e studiues të njohur si A. Shmaus, R

Medenica, dhe  teori  e  mbështetur edhe nga  prof. Stavro Skendi në studimin e doktoraturës së tij. Dyshim të veçantë ndaj traditës shqiptare të pavarur në Këngët e Kreshnikëve kanë mbajtë edhe  A. Lord dhe mjeshtri i tij Prof. Parry, që sigurisht koleksioni i Prof. Lord-it është ndër më të mirët që janë mbledhur nga të huajt. 

Ndërkaq, studimi i Agnia  Desnickajës,  e cila megjithëse pranon ngjashmërinë dhe përputhjen e disa detajeve që ekzistojnë në mes të këngëve kreshnike boshnjake dhe atyre shqiptare, që u kushtohen lidhjeve dhe marrëdhënieve historike gjatë shekujve, në bazë të  krahasimeve që bën mes këtyre dy traditave të këngëve kreshnike, pohon se “…dallimet ndërmjet dy traditave epike janë aq të mëdha për nga elementet themelore sa që kjo i  bën jo të drejta përfundimet mbi varësinë e njërës nga tjetra, që janë bërë me anën e krahasimit të detajeve. Prejardhja e epikës shqiptare me tërë specifikën e vet nuk mund të trajtohet si përpunim i elementeve të veçanta huazuar nga jashtë.”  (Jeta e Re, Prishtinë, 1976, fq.  159 – 160). 

Studimi i Desnickajës  i nënvizuar më sipër, i bashkohet pa rezervë studimeve dhe  tezave të studiuesëve dhe shkenctarëve më të njohur shqiptar  si ato të Fishtës, Zadëjs, Çabejt, Haxhihasanit, Anton Berishës, Idriz Ajetit dhe më në fund Arshi Pipës, të cilët bindëshëm, e kanë mbrojtur teorinë e këtyre këngëve si epikë origjinale shqiptare.

Desnickaja, pas një studimi të gjithanëshëm të këtyre këngëve  në versionin boshnjak dhe shqiptar vjenë në përfundimn se të dy versionet kanë pas fërkime dhe marrëdhënie të dorës së dytë, por në të vërtetë ato janë të pavarura nga njëra tjetra, dhe se këngëtë boshnjake i përkasin një periudhe më të vonëshme se ato shqiptare. Përfundimisht sipas saj, Krye-heroi i Këngve Kreshnike të Agallarëve të Jutbinës – Muji, është bartur, është huazuar nga tradita e vjetër e këngëve shqiptare. Ajo shkruan: 

 “… I kam studiuar tiparët karakteristike të këngëve shqiptare dhe të atyre serbo-kroate dhe kam ardhur në përfundim se ato janë zhvilluar në marrëdhënie reciporike por plotësishtë të pavarura në njëra-tjetrën.  Shkencëtarët që kishin zhvilluar teorinë e huazimit të eposit shqiptar nga eposi serbo-kroat s’kanë të drejtë, gabohen plotësisht”.

Me këtë qendrim të shpallur para sllavistëve të mbledhur në  Varshavë u përgëzua edhe albanologu i mirënjohurë polak, nxënësi i Europianistit me renome ndërkombëtare (Jan Otrembski), Vacllav Cimohovski (Waclaw Cimochwsi), i cili tërë jetën ia kushtoi studimeve të albanistikës. 

Në saje të punës dhe kërkimeve të palodhëshme të Agnia Desnickajës, Seksioni i studimeve krahasuese historike të gjuhëve indoeuropiuane në Institutinë e Gjuhësisë pranë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, të cilin institut e drejton Desnickaja, në vitet t e fundit, nën përkujdesjen dhe redaktimin e saj janë përgatitur dy monografi kolektive; “Struktura gramatikore Ballkanike” dhe  “Çështja e Sintaksës të Gjuhëve të Aerealit Ballkanik”, botuar Nauka, 1. 1976. Monografia e dytë është botuar me 1979 në të njëjtën shtëpi bortuese.

Në këto dy monografi,  Desnickaja dhe nxënsitë e saj, studiues serioz të albanologjisë, si A.V. Zhugra, I. I. Voronina, A. L. Sytov, L.V. Sharapova, J. A. Lopashev, kanë trajtuar çështje morfologjike dhe sintaksore të gjuhës shqipe të shikuara në rrafshin sindronik dhe diakronik në kuadrin e problematikës gjuhësore Ballkanike. 

Botuar në gazetën “Atdheu”, Tetor, 1982 

.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *