Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka komentuar zhvillimet e fundit në koalicionin “Nisma – Shqipëria Bëhet”, pas përplasjes publike mes dy bashkëkryetarëve të tij, Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani. I ftuar në emisionin “Log.”, Shehaj tha se ajo çfarë po ndodh ishte plotësisht e parashikueshme.

“S’ka njeri në Shqipëri që njeh politikën dhe të mos ketë kuptuar se ajo gjë do të përfundonte vetëm në atë mënyrë siç përfundoi,” deklaroi Shehaj, duke iu referuar përçarjes brenda koalicionit opozitar që mori pjesë në zgjedhjet e 11 majit.

Deputeti i sapozgjedhur, që do të jetë pjesë e Kuvendit në legjislaturën që nis në shtator, theksoi se ndryshe nga grupimet e tjera, “Mundësia” do të bëjë një politikë serioze, të bazuar në mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve.

“Ne do të përpiqemi t’u japim shqiptarëve një politikë serioze. Politikanët gjykohen për premtimet që japin. Kjo është politika, dhe nëse duam të bëjmë kontrast me politikanët e vjetër, do ta bëjmë pikërisht mbi këtë gjë. Jemi përqendruar tek alternativa jonë,” shtoi Shehaj.

Sa i përket marrëdhënies me Adriatik Lapajn, me të cilin kishte pasur përplasje gjatë fushatës elektorale, Shehaj u shpreh shkurt: “Çfarë mendoj unë për Adriatik Lapajn e kam thënë dhe faktet më japin të drejtë.”

By Editor