Nga Agim Morina

Zanafilla e familjes Haxhiu është prej një fshati të vogël, Lupç i Besianës, prej nga dolën aq shumë atdhetarë të mëdhenj: Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla, Ilaz Pireva, Adil Pireva etj.

Familja Haxhiu, në vitin 1921, u nis për mërgim në Turqi. Por pas gjashtë muajsh u kthyen, jo më në fshatin e tyre, por u vendosën në Prishtinë. Në këtë shtëpi, në vitin 1932, lindi Ahmet Haxhiu.

1941 – Arrestohet babai i Ahmetit, Shaipi, nga gjermanët dhe dërgohet në burgun e Mitrovicës. Ikën nga burgu dhe u bashkohet njësive partizane të komanduara nga Mustafa Hoxha.

1944 – Pas masakrës në Ferizaj, ku pushkatohen 74 shqiptarë, dezerton dhe u bashkohet njësive të Adem Gllavicës. Gjatë një ballafaqimi me forcat e OZNA-s vritet në Zabel të Sankocit.

1946 – Si katërmbëdhjetëvjeçar, Ahmeti arrestohet dhe mbahet gjashtë muaj, si biri i një antijugosllavi.

1952 – Arrestohet përsëri, sapo kryen shërbimin ushtarak, dhe mbahet edhe gjashtë muaj në burg. Vitet ’60 – Sapo Adem Demaçi del nga burgu, Ahmet Haxhiu bëhet një nga bashkëveprimtarët e tij më të ngushtë.

1964 – Ahmeti është një nga organizatorët kryesorë të vendosjes së flamurëve kombëtarë në gjithë Kosovën, një nga aksionet më të mëdha të pas-Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. U arrestua në gusht të atij viti dhe u dënua me 10 vjet burg. Tregoi një qëndrim shembullor gjatë hetuesisë. Pas Plenumit të Brioneve, dënimi iu përgjysmua.

1969 – U arrestua përsëri, por u lirua pas një kohe të shkurtër.

1978 – Organizoi shpërndarjen e trakteve të përgatitura nga Jusuf Gërvalla, me kërkesë që të liroheshin të burgosurit politikë shqiptarë. 1981 – Është aktiv në organizimin e demonstratave.

1985 – Strehon në shtëpinë e tij dhe në baza të ndryshme anëtarët e LPRK-së që kishin kaluar në ilegalitet. Në shtëpinë e tij u fsheh edhe një pjesë e mirë e teknikës me të cilën më vonë do të shtypeshin afishet dhe traktet, nën përkujdesjen e Afrim Vitisë dhe Fadil Vatës.

1987 – Merr pjesë si delegat në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPRK-së në Zvicër.

1991 – Ahmeti, bashkë me Xhavit Hazirin dhe Xhavit Halitin, u takua me kryetarin e Shqipërisë, Ramiz Alia, me qëllim që të ndihmohej Kosova në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi. Po këtë vit do të jetë një nga anëtarët e Grupit të Organizimit dhe Riorganizimit. Gjatë gjithë kësaj kohe, Ahmet Haxhiu sillte armë nga jashtë dhe i vendoste në baza të ndryshme, ndër të cilat edhe në shtëpinë e tij. Në mesin e armëve kishte 6 mitralozë të rëndë, njëri prej të cilëve është mitralozi që e mori Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

1993 – Ahmet Haxhiu solli armët e fundit, të cilat u strehuan në tuba gazi. Gjyshi dhe babai i Albulena Haxhiut, në shtëpinë e tyre, ia dorëzuan Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit (të cilët ishin strehuar aty) armë për njësitet e UÇK-së. Gusht.

1993 – Ahmet Haxhiu u arrestua bashkë me të birin, Shaipin, dhe shokë të tjerë. Ata u torturuan për ditë të tëra. Edhe kur u arrestua, Ahmet Haxhiu ishte i sëmurë. Gjendja iu përkeqësua edhe më shumë nga torturat dhe u dërgua në spitalin e Prishtinës, e prej aty në CZ (Burgun Qendror) të Beogradit. Meqenëse ishte kuptuar se ishte afër vdekjes, u lirua nga burgu.

1994 – Vdes Ahmet Haxhiu. Mbesa e tij, Albulena, ishte një vajzë e vogël, shtatëvjeçare.

2012 – U dekorua pas vdekjes me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Ky ishte një njoftim telegrafik i jetës së një njeriu, legjendë për të gjithë veprimtarët për lirinë e Kosovës, i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk pushoi për asnjë çast në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare.

Ahmet Haxhiu është ndër veprimtarët e rrallë që ka bartur frymën e një atdhetarie aktive në terren, që nga rinia e hershme deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Që nga Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla, Fazli Grajçevci, Rexhep Elmazi, Jusuf Gërvalla, Xhavit Haliti, Emrush Xhemajli, Avni Dehari, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Xhavit Haziri, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi etj., Ahmet Haxhiu ishte një pe i kuq që lidhi pashkëputshëm vargun e brezave të ndryshëm të veprimtarëve për liri – dhe një varg i gjatë nga këta emra sot janë Dëshmorë e Heronj të Kosovës.

Është gjyshi i Albulena Haxhiut.

By Editor