Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur Shqipërinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar shkelje të rënda kushtetuese gjatë hetimeve ndaj tyre. Ata argumentojnë se kontrolli i banesës së përbashkët u krye kur Ahmetaj ishte deputet dhe për rrjedhojë nuk mund të bëhej pa autorizim paraprak të Kuvendit.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Strasburg, padia lidhet me kontrollin fizik dhe të telefonit celular të partneres së Ahmetajt, si dhe kontrollin e banesës së përbashkët më 9 mars 2023, bazuar në një vendim të Gjykatës së Posaçme të lëshuar një ditë më parë, më 8 mars 2023.
Kërkesa e Ahmetajt dhe Hoxhës argumenton se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi banesa e deputetit nuk mund të kontrollohej pa autorizim të Parlamentit, sipas nenit 73(2) të Kushtetutës. Ata shtojnë gjithashtu se nuk kishin qasje në një procedurë për të kundërshtuar kontrollet, në shkelje të nenit 8 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas pranimit të padisë, Strasburgu ka drejtuar një sërë pyetjesh palëve, duke kërkuar përgjigje mbi respektimin e të drejtës për privatësinë të garantuar nga neni 8 i Konventës, mbi përputhshmërinë e kontrolleve me imunitetin e deputetëve dhe mbi mundësinë e përdorimit të mjeteve efektive juridike brenda sistemit kombëtar.
Ish-zv.kryeministri Ahmetaj ndodhet në arrati prej gati dy vitesh dhe po hetohet nga SPAK për vepra penale si korrupsioni, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë, lidhur me aferën e inceneratorëve të Tiranës. Ai po gjykohet gjithashtu në Gjykatën e Posaçme për dosjen Buka.

