Akuza të rënda dhe tronditëse janë artikuluar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka deklaruar publikisht se është kërcënuar me vdekje dhe se Shqipëria ndodhet nën kontrollin e krimit të organizuar. Në një intervistë në emisionin “Çim Peka LIVE” në Syri TV, Ahmetaj e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si “kreun e një organizate kriminale”.
Sipas tij, vendi është sot në duart e karteleve, një strukture mafioze të drejtuar nga Rama dhe një grup prej 15 oligarkësh, të cilët, siç u shpreh Ahmetaj, kanë kapur shtetin dhe institucionet e tij.
Ish-numri dy i qeverisë ngriti alarmin edhe për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, duke deklaruar se informacionet sensitive dhe të dhënat tatimore kanë përfunduar, ose rrezikojnë të përfundojnë, në duart e krimit të organizuar, ashtu siç ka ndodhur tashmë me një pjesë të tyre.

