Pas gati shtatë vitesh humbjesh të njëpasnjëshme, borxheve të akumuluara dhe marrëveshjeve të diskutueshme që, sipas burimeve, kanë shërbyer edhe për të financuar udhëtimet me charter të kryeministrit, kompania kombëtare Air Albania duket se ka mbërritur në fundin e saj të pashmangshëm.
“Kapitali” ka mësuar se Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është detyruar të pezullojë licencën e operimit të kompanisë për mosrespektim të legjislacionit të aviacionit. Vendimi, sipas burimeve, është marrë në fillim të këtij muaji dhe ka hyrë në zbatim prej tre ditësh, gjatë të cilave Air Albania nuk ka kryer asnjë fluturim.
Një burim nga brenda qeverisë, i njohur me situatën, shpjegoi:
“Operimet e Air Albania janë pezulluar përkohësisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil për mosveprim në përputhje me standardet e aviacionit civil. Pezullimi mbetet në fuqi pa afat derisa kompania të plotësojë të gjitha detyrimet ligjore.”
Ky vendim nënkupton se Air Albania nuk ka më të drejtë të operojë asnjë fluturim, ndërsa çdo shitje e mundshme biletash në këtë periudhë konsiderohet potencialisht mashtruese, pasi kompania nuk ka licencë të vlefshme.
Ekspertë të tregut të aviacionit, të pyetur nga “Kapitali”, thonë se gjasat që Air Albania të përmbushë kushtet e vendosura nga AAC janë minimale, duke qenë se kompania ndodhet në një krizë të thellë financiare dhe pa burime të mjaftueshme për të rikuperuar standardet e kërkuara.
Sipas tyre, pezullimi i licencës nga AAC është “goditja e fundit” dhe praktikisht vulos fundin e Air Albania-s, që prej vitesh ka qenë një projekt i kontestuar në aspektin ekonomik dhe të qëndrueshmërisë.
Për momentin, mbetet të sqarohet se çfarë do të ndodhë me pasagjerët që kanë blerë bileta, me borxhet e kompanisë dhe me statusin e saj si operator flamur i Shqipërisë.

