AJet, krahu me kosto të ulët i Turkish Airlines ka nisur zyrtarisht operimet në Shqipëri me linjën e re Istanbul Sabiha Gökçen – Tiranë.

Sipas Burimeve nga Tirana International Airport, fluturimi inaugurues u mirëprit në TIA me ceremoni zyrtare dhe water salute, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ajrore mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Linja do të ketë 5 frekuenca javore në mars, fluturime ditore nga prilli dhe deri në 14 frekuenca në javë gjatë sezonit veror, njoftoi TIA, duke shtuar se kjo linjë sjell më shumë fleksibilitet dhe akses drejt një prej hub-eve kryesore të rajonit.

Sipas një vëzhgimi në faqen e internetit të AJet, çmimet për vajtje në datën 14 mars, për fluturim direkt nga Rinasi në Sabiha Gökçen fillojnë nga 30 euro, varianti bazë (pa bagazhe). Kthimi dy ditë më vonë fillon nga 55 euro, me një total prej 85 eurosh.

Në prill, vajtja në datën 11 prill kushton 49 euro, me çmim bazë dhe kthimi dy ditë më pas 39 euro.

Çmimet janë pak më të lira, sesa kur udhëtimet kryheshin nga Air Albania, që udhëtonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Stambollit ku përgjithësisht një biletë vajtje-ardhje nuk e gjeje më lirë se 120-150 euro, teksa nuk kishte opsione bazë.

Tashmë drejt Stambollit ka tre shoqëri që ofrojnë fluturime, Turkish Airlines, që zëvendësoi Air Albania dhe që fluturon në aeroportin ndërkombëtar, që shërben dhe si tranzit. AJet, që është po degë e Turkish dhe Pegasus, që udhëton prej kohësh drejt Sabiha Gökçen.

Deri në nëntor, peshën kryesore të fluturimeve drejt Stambollit e mbante Air Albania, një shoqëri e përbashkët që kishte si aksioner kryesor kompaninë turke “Turkish Airlines” (49,12%) dhe aksionet e mbetura i ndajnë ndërmarrja shtetërore shqiptare “Albcontrol” (~10 %) dhe një kompani private shqiptare “MDN Investment” (~41 %).

Në nëntor Air Albania filloi rë kishte probleme me fluturimet, pasi “Turkish Airlines” njoftoi se ka vendosur të shesë gjithë pjesën e saj prej 49% në “Air Albania” dhe më pas nuk mundësoi shitjen e biletave tranzit përmes “Air Albania”.

Në janar 2026, “Turkish Airlines” njoftoi se do të nisë fluturimet direkte nga Tirana si drejt “Istanbul Airport” ashtu dhe “Sabiha Gokcen Airport”. Krahas tij, nisi fluturimet  nga marsi drejt Stambollit dhe Ankarasë dhe “AJet”, krahu me kosto të ulët i “Turkish Airlines”, duke e nxjerrë tërësisht “Air Albania” nga tregu i Turqisë./ Monitor.al

https://monitor.al/ajet-nis-fluturimet-nga-tirana-ne-stamboll-cmimet-fillojne-nga-30-euro-nje-drejtim/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *