Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk po gjen qetësi dhe, sikur të mos mjaftonin problemet me sistemin e SelfCare të Tatimeve, në Komisionin e Prokurimit Publik është ankimuar tenderi 4.8 milionë euro për internetin e këtij institucioni dhe atyre të tjera publike.
Ankesa është bërë nga një prej operatorëve pjesëmarrës në procedurë dhe lidhet me vlerësimin e kryer nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Më herët, në muajin dhjetor, i njëjti tender ishte pezulluar nga Komisioni i Prokurimit Publik për shkak të ankesave të disa operatorëve lidhur me dokumentet e procedurës.
Për një pjesë të tyre, KPP pranoi kërkesat, ndërsa për disa të tjerë jo, duke nënvizuar arsyet. Ankesat e vazhdueshme kanë sjellë vonesa të shumta në afatet normale që duhet të ndiqte kontrata. Konkretisht, tenderi u çel në datën 13 gusht 2025.
Procedura kishte në objekt kontrate “Shërbimi i internetit dhe intranetit për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe institucionet publike”. Fondi limit është 4.8 milionë euro dhe shërbimi parashikohet të ofrohet për 730 ditë.
“Objektivi i përgjithshëm i kontratës është instalimi dhe aktivizimi i shërbimit të internetit dhe intranetit për institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
Shërbimi do të ofrohet gjatë gjithë periudhës së kontratës, për këtë arsye secili operator ekonomik ka përgjegjësinë e garantimit dhe disponueshmërisë së shërbimit në çdo moment, duke ofruar suport teknik dhe mirëmbajtje të linjave fizike, konform SLA-së”, thuhet në termat e referencës së procedurës.
Tenderët e lidhur me sistemet IT të institucioneve të ndryshme, por edhe mirëmbajtjet, janë ndër procedurat më shpesh të ankimuar pranë KPP-së, duke krijuar zvarritje të vazhdueshme.
Një rast i tillë ishte edhe ai i mirëmbajtjes së fiskalizimit, i ankimuar disa herë dhe me një fond limit 7.7 milionë euro, çka ishte edhe një nga arsyet që çoi në mosfunksionimin e platformës SelfCare dhe bllokoi aktivitetin e bizneseve për rreth tre javë.

