Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit – pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së Mekanizuar 243, Armatës së Tretë të njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – akuzohen se gjatë një operacioni policor kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
Hetimet kanë vërtetuar se, gjatë periudhës 1998–1999, të pandehurit kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile. Sipas Prokurorisë, forcat serbe e rrethuan Reçakun nga disa drejtime, e granatuan fshatin nga distanca, kontrolluan shtëpi më shtëpi dhe ndanë burrat nga gratë e fëmijët, të cilët i detyruan të largohen, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan.
Po ashtu, aktakuza thekson se civilët janë keqtrajtuar fizikisht, duke u rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Si pasojë e operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Duke qenë se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë.

