Intervistoi: Besjana Lushaj
Si lindi dhe u kultivua pasioni për pikturën?
Të pikturuarit te ne nuk është se lindi në një moment fiks por ka adhur në mënyrë shumë graduale e të natyrshme. Që shumë të vogla na ka pëlqyer të shkarravisnim, të krijonim forma të ndryshme, të pikturonim zogj dhe njerëz. I kushtonim rëndësi përzgjedhjes së bojrave. Kur shikonim diçka të bukur, imazh, peizazh që na mbeste në mendje patjetër që donim ta pikturonim në atë formë naive që e perceptonim. Më pas ka qënë mësuesja jonë e parë, Sadete (në rastin e Natashës dhe Elsës), që e kuptoi pasionin dhe dhuntinë tonë për të pikturuar dhe na ka shtyrë vazhdimisht që ta ushtronim sa më shumë këtë pasion. Të lindura dhe rritura në Belsh, një vend i tillë ka qënë frymëzim dhe shtysë që ne të pikturojmë peizazhe dhe të lidhemi më shumë me natyrën.
Duke patur edhe njëra-tjetrën, ka qenë shumë më e thjeshtë për të qënë vazhdimisht aktive dhe të angazhuara si shtysa të njëra-tjetrës. Ambienti është shumë i rëndësishëm për kreativitetin, e kur rrethohesh nga njerëz që janë kreativë është frymëzim pune, si për kritikën por edhe për t’u pasuruar nga ana estetike dhe e mendimit. Piktura për ne është një formë meditimi, është ai momenti që kur kap penelin shkëputesh nga bota dhe në të njëjten kohë lidhesh edhe më shumë me të.
Si ka evoluar krijimtaria juaj me kalimin e viteve?
Piktura përveçse është formë e të shprehurit të vetes, gjithashtu është proces i njohurit të vetes. Në fillimet tona kur ishim më të ndërgjegjshme për proceset e krijimtarisë tonë, kemi eksperimentuar me shume stile apo me forma të ndryshme të pikturës. Në momentin që filluam të lëviznim shumë në natyrë, pikturat tonë filluan të bëheshin më impresioniste, kjo për arsyen se drita dhe ngjyrat ndryshojnë shpejt, sidomos në momentet tona të preferuara gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit. Me kalimin e kohes fillon e të pëlqen diçka më tepër ose ndjehesh mirë ne diçka më specifike, por gjithmonë duke luajtur me gjëra të reja si ngjyrat, format, linjat. Në këto ndryshime padyshim që ndikim të madh ka patur gjendja shpirtërore apo rrethanat shoqërore. Çfarë të inspiron në një moment nuk të inspiron në një moment tjetër, e rëndësishme për ne ka qënë që gjithmonë ta mbajmë veten të inspiruara dhe me vullnet për të bërë gjëra të reja. Dhe faktikisht jemi vazhdimisht duke krijuar, edhe përtej punës (të treja punojmë grafik dizajn), pasi jo vetëm që na pëlqen, por për ne është bërë e domosdoshme, ashtu si vaktet e ushqimit që kur nuk i merr fillon organizmi të të lëshojë edhe me pikturën dhe artet e tjera vizuale te ne kanë të njëjtin efekt. Çdokush e gjen mënyrën për t’u marrë me gjërat që ka më së shumti dëshirë, edhe në rastet kur detyrohet të ketë një punë që nuk i pëlqen shumë, mjafton dëshira dhe vullneti.
Çfarë pikturojnë me më shumë dëshirë motrat Paja peizazhet apo portretet?
Natyra është studio jonë prandaj ne pikturojmë në muret e saj. Me natyrën jemi shumë të lidhura që në moshë të vogël, të rritura në lëndina dhe kodrat të pafundme, kjo ka sjellë që domosdoshmërisht ajo të jetë e preferuar gjatë punëve në telajo. Fatmirësisht Shqipëria ka një natyrë fantastike, ka pafund peizazhe të bukura që ne na mbajnë të frymëzuara. Vazhdimisht jemi në kërkim të diçkaje të re, të një hapësire që se kemi parë më parë, të atyre vendeve që jo domosdoshmërisht janë të njohura, por që fshehin diçka nga pas, sidomos ato vendet pak të mistershme ku ke gjithmonë diçka për të zbuluar.
Cilat janë mbresat pas ekspozitës “Qiell në Tokë”? Sa e vështirë është të merresh me art në Shqipëri?
“Qiell në Tokë” ishte ekspozita jonë e parë personale (tri-personale). Kemi qenë pjesëmarrëse më herët pjesë e shumë ekspozitave kolektive por të organizoje ekspozitën tënde të parë ka qënë një proces mjaft domëthënës për ne, dicka e tille ishte edhe të ndaje punët krijuese të tuat dhe me njerëzit e jashtëm, të dëgjoje prej tyre komente të ndryshme apo si i perceptonin pikturat. Dhe ti je në atë këndin që nuk je aq shumë e përfshirë në proces. por më shumë një soditëse e momentit e kjo ishte një ndjesi e bukur në tërësi.
“Qiell në Tokë” pasi qytetet tona gjithmonë e më shumë po na e pamundësojnë të parit e qiellit, të shikuarit përtej. E në këtë ekspozitë, pikturat tona që i kishim pikturuar në studio pa mure por në natyrë, i sjellim në një studio me mure, në muret e Odës e ato rrinin këndshëm bashkë. I shikonim punët tona tashmë jo tek e tek por si një trup i vetëm. Në Shqipëri shumë pak vende ka si Oda, hapësirat që ti mund të prezantosh punët krijuese. Shumë pak hapësira ekspozimi apo galeri ka, një pjesë e tyre janë të akomuluara në një grusht të vetëm njerëzish që qarkullojnë përreth. Janë të njëjtit njerëz që marrin të gjithë mbështetjen nga qeveria apo nga organizime të ndryshme.
Kemi rastin ku x galerie/OJF merr pjesën më të madhe të projekteve (fondeve) artistike në Shqipëri pasi në pronësi të saj është gruaja e kryebashkiakut. Kjo gjë të mërzit por nga ana tjetër është arsye për të mos ndaluar së punuari. Duhet gjetur mënyra se si këtë gjë me e kthy në forcë e për të vazhduar përpara.
A e duan shqiptarët pikturën?
Shqipëria radhitet si një nga vendet më të varfëra të rajonit dhe Evropës. Kur tjetrin e mundon gjendja se si do ta shtyjë muajin është e vështirë të mendohet se ai duhet të mendojë për kulturë dhe art. Kjo nuk do të thotë se nuk e duan, por edhe të duash dicka duhet fillimisht të kesh akses në të dhe shijet estetike kultivohen. Në Shqipëri ka shumë dashamirës të artit. Ka dhe shumë artistë që na ka rënë rasti t’i njohim. Artistët e rinjë kanë nevojë për hapësira krijuese, për galeri, për komunitete artistike, për suportim të vazhdueshëm. E këtë gjë nuk mund ta sigurojë ky lloj sistemi neo-liberal në të cilën po mundohen të drejtojë shoqëritë tonë.
Arti nuk mund t’i lihet tregut të lirë. Tregu i lirë ka qëllim maksimizimin e fitimit monetar e qëllimi i artit nuk është fitimi monetar. Një artist apo piktor i sapo dalë nga bankat e shkollës ka nevojë për mbështetje që të çojë përpara guximin e tij. Kjo mbështetje duhet të vijë nga politikat vendore, pasi është një kontribut jo vetëm për artistin, por për të gjithë shoqërinë, që ajo të jetë më e shëndetshme. Por politikat vendore të shembin teatrin, të tjetërsojnë piramidën, në vend të tyre ngrihen qendra tregtare. Po duan ta zhdukin qytetarin e të mbajnë vetëm konsumatorin. Konsumatori nuk ka nevojë për historinë, kulturën, artin, atij i duhet vetëm të blejë. Kjo është një sfidë që artistët e vendit tonë duhet të përballen. Ata kanë në dorë me artin e tyre të vënë në pah këto çrregullime të shoqërisë. Një artist i Suedisë e ka luksin të jetë i tërhequr nga situata shoqërore e politike pasi gjërat aty funksionojnë mirë, ndërsa një artist në Shqipëri e ka detyrë morale të “revoltohet” ndaj gjendjes së keqe në të cilën ndodhet vendi. Piktura luan një rol të rëndësishëm në emancipimin shoqëror.
Për ne që ju ndjekim prej kohësh dimë që Elsa, Natasha dhe Fatma janë ndër aktivistet më të zëshme të Lëvizjes Vetëvendosje angazhim i cili reflektohet dukshëm dhe ne punën tuaj . Si do e përshkruanit aktivizmin nga këndvështrimi i një artisti?
Është realiteti ynë që jetojmë çdo ditë, nuk ka si të mos e vërejmë. E tërë natyra ndryshon nëse e ndryshojmë rrjedhjën e lumit. Kafshët do të largohen për një vend me ujë, bimët do të thahen, banorët atyre afër do të largoheshin. Për një devijim lumi do të kemi një prishje të tërë të ekosistemit, vetëm se dikujt i ‘teket’. Shqipërinë e kanë mbushur kudo me mendësi të tillë shkatërruese, duke prishur çdo system. Kanë ndryshuar rrjedhjën normale të shumë gjërave. Kjo është e patolerueshme. Me qenë aktive sot e të reagosh duhet të ishte gjëja më normale, më bazike që një qytetar mund të bëjë. Jetojmë në një vend ku shumë gjëra fuksionojnë keq e arsyeja kryesore e kësaj është se ata që kanë pozitat për t’i shërbyer qytetarëve po bëjnë të kundërtën, po ua vështirësojnë atyre jetën. Ndaj kësaj nuk mund të rrish i heshtur, duhet të reagojmë me çfarëdo lloj mënyre që na duket e drejtë. Është e thjeshtë të marrësh valixhen të shkosh në një vend ku çdo gjë fuksionon mirë, por nga nga ana tjetër është detyrë e secilit prej nesh të punojmë lokalisht për vendin tonë. Vështirësitë janë të mëdha po nëse njerëzit e mirë bëhen bashkë, këto vështirësi tejkalohen. Vetë arti është një formë rezistence ndaj të keqës, ashtu si edhe një qytetar e bën aktivist fakti se ai vazhdimisht është duke luftuar padrejtësitë, të keqen. Nje shprehje e Oscar Wilde thotë: “Në të vërtetë gjëja më joartistike në këtë epokën tonë nuk është indiferenca e publikut ndaj gjërave të bukura, por indiferenca e artistit ndaj gjërave të shëmtuara”.
Pse konteksti politik shqiptar e pamundëson një Lëvizje Vetëvendosje po aq influencuese sa në Kosovë?
Ja pse iu frikësuan aq shumë Teatrit duke e shembur në mesin e natës, të dielën, në kohë karantine sepse oborri i Teatrit mblodhi në të njerëz të moshave, profesioneve dhe bindjeve të ndryshme. Situata politike vjen gjithmonë e më shumë duke u agravuar e në një situatë të tillë për ta ndryshuar gjendjen dhe për ta zhbërë të keqen që ka kapluar vendin do të duhen qytetarë të angazhuar. Një gjëje që i trembemi shumë janë numrat, ndërkohë shohim sesi shpesh protestat që në fillim duket sikur, në fakt janë protestat apo organizimet që shuhen më shpejt dhe e kundërta ndodh shpesh, kur shihet se një aktivitet apo protestë nuk fillon me shumë njerëz por ka në vete përbërjen dhe vendosmërinë ka qënë më shumë produktive dhe efektive. Edhe Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë erdhi si angazhim i një numri të vogël njërëzish, por kjo gjë nuk i demoralizoi ata. Ata kishin të drejtën dhe të vërtetën në anën e tyre e për ta kjo gjë ishte më se e mjaftueshme. Për ta çdo gjë ishte e mundshme. Angazhimi politik shpesh herë edhe të merr jetën, në sensin që nuk është si një shkollë që e kryen për tre vite, por kërkon të jesh gjithë kohës aktiv e i angazhuar që gjendja të ndryshojë. Shpesh shohim se sa shpejt dorëzohen njerëzit në Shqipëri veç duke thirrur një protestë dhe kur protesta nuk ecën dorëzohen duke u justifikuar se ata e bënë punën e tyre por janë njërëzit që nuk duan që gjendja të ndryshojë. Ndërkohë puna e një aktivisti nuk mbaron me thirrjen e një proteste, ky nuk është as fillimi. Puna ka rezultat kur njerëzit e angazhuar politikisht dëshirat individuale të qytetarëve arrijnë t’i bëjnë vullnet kolektiv. Nuk mjafton vetëm dëshira dhe spontaniteti për ta ndryshuar gjendjen por do të duhet shumë punë, disiplinë dhe organizim. Populli nuk është se nuk e di cfarë do, por si individë nuk mund të bëjnë asgjë, në këtë pikë ështe puna e organizimeve politike, t’u vijnë në ndihmë qytetarëvë në organizim.
Glauk Konjufca shkruan në librin Republika 1 “Struktura është më e rëndësishme se revolucioni. Reolucioni është ngjarja, kurse struktura është materializimi i ndryshimit. Ne nuk na duhet revolucionare magjepse shpërthyese, por sistemacitet revolucionar”.
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka shumë vite histori ku me qindra aktivistë janë rrahur, arrestuar, përballur me shumë pengesa por kurrë s’janë dorëzuar, gjithmonë kanë qënë në lëvizje, në rritje. Në Shqipëri terreni është i vështirë kjo për arsye qoftë ndikimi i diktaturës (që i ka bërë njerëzit shumë mosbesues ndaj njëri-tjetrit), korrupsioni shumë i thellë në shoqeri e institucione, mosbesimi ndaj lëvizjeve shoqërore si rezultat i keqpërdorimeve të organizimeve vazhdimisht. Këto faktorë sa janë pengues duhet të jenë dhe shtyes për t’i çuar lëvizjet politike të ecin përpara.
A mendoni se aktivizmi politik do të kishte një tjetër natyrë nëse pjesë e tij do të ishin me shumë artistë, në rastin konkret me shumë piktorë?
Politika është pika e përbashkët e të gjithë neve, prandaj mendojmë se çfarëdo përshirje do të ishte e nevojshme. Ne nuk jemi aktiviste sepse jemi piktore. Ndoshta edhe po të ushtronim një profesion tjetër nga ajo që merremi nuk do të na bënte më pak aktiviste. Organimit politik në Shqipëri i mungon kreativiteti dhe imagjinata përpos shumë gjërave të tjera, por nuk është e thënë që kjo mund të vijë vëtëm nga njërëz të anagazhuar që merren me art.
Në aktivitetin tuj kemi parë një fokus të veçantë në objektet e trashëgimisë kulturore veçanërisht veshjet tradicionale shqiptare. A mendoni se Shqiperia duhet të mjaftohet vetëm me xhubletën në UNESCO?
Përfshirja e xhubletës në UNESCO ishtë jo vetëm e nevojshme por ishte edhe e vonuar.
Etnosi ynë është një pasuri e gjallë, në të janë gdhendur fantazia, zanafilla, elementët natyror dhe historia. Është një gurë shënjues i identitetit kombëtar shqiptar. Duhet të jemi shumë krenar për pasurinë etnografike që kemi trashëguar dhe ruajtur me shumë fanatizëm prej shumë brezash e shekujsh. Vetëm zona e Elbasanit numëron rreth 40 lloje kostumesh popullore. Imagjinoni e gjithë Shqipëria. Mbi kulturën e pasurinë artistike dhe kulturore duhet të punohet vazhdimisht për ruajtjen dhe pasurimin e saj. Muzetë tanë jo vetëm që janë të paktë duke parë larmishmërinë e elementëve të trashëgimisë kulturore që kemi, por edhe ato që janë një pasqyrë konkrete e gjithë kësaj pasurie, e në këtë pjesë do të duhet një punë shumë serioze e instancave përkatëse.