Aktorja e Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Anila Bisha, ka depozituar më 9 shkurt një padi në Gjykatën Administrative kundër institucioneve shtetërore për përdorimin e imazhit dhe zërit të saj në rolin e ministres virtuale “Diella”. Ajo kërkon ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të të dhënave të saj personale, si dhe një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për dëmtim imazhi.

Për këtë çështje ka raportuar edhe Reuters, ku ka folur avokati i saj, Aranit Roshi. Sipas tij, legjislacioni parashikon gjoba deri në 21 milionë euro për institucionet publike në rast shkeljeje të të dhënave personale, duke e konsideruar kërkesën për 1 milion euro si të arsyeshme.

Bisha shprehet se nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim që pamja e saj të përdorej në këtë formë, duke theksuar se situata i ka sjellë shqetësime, përfshirë ngacmime në rrjetet sociale dhe vëmendje të padëshiruar në jetën e përditshme.
“Në fillim mendova se ishte shaka. Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më identifikojnë si ministre të qeverisë. Ata që nuk e pëlqejnë kryeministrin, më drejtohen me urrejtje edhe mua”, ka deklaruar ajo për Reuters.

Nga ana tjetër, qeveria i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar pretendimet të pabazuara. Zyra e shtypit është shprehur se padia është “pa kuptim”, por ka theksuar se mirëpret trajtimin e çështjes në gjykatë.

Imazhi i “Diellës” shfaqet në faqen zyrtare të qeverisë në rreshtin e parë të kabinetit, pranë fotografive të Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Në padi, Bisha pretendon se përdorimi i imazhit të saj për “Diellën” përbën shkelje të kontratës, e cila – sipas saj – ishte nënshkruar vetëm për rolin e asistentes virtuale në platformën e-Albania. Ajo ka paditur Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, kompaninë “Apel shpk”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si dhe kryeministrin Rama.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *