Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 50 ton misër për bagëti të importuar nga Serbia, pas urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për kontrolle të rrepta të produkteve ushqimore nga ky vend. Vendimi u mor për shkak të dyshimeve se produkti nuk përmbushte standardet e sigurisë ushqimore.
Sasia e misrit është bllokuar në një subjekt në Elbasan, ku inspektorët e AKU-së kanë marrë mostrat për analiza laboratorike. Nga kjo sasi, 25 tonë pritet të asgjësohen bazuar në dyshimet e ngritura dhe kontrollin paraprak.
Paralelisht, AKU ka intensifikuar inspektimet në disa subjekte të tjera në qark, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Autoriteti njofton se çdo produkt që nuk përmbush kriteret e sigurisë do të bllokohet dhe, në rast nevoje, do të asgjësohet.
Institucionet po vijojnë monitorimin, ndërsa rezultatet përfundimtare të analizave pritet të publikohen në ditët në vijim.

