Nga Enver Bytyçi

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke replikuar me një eksponent të Lëvizjes Vetëvendosja ka shkruar diçka të pazakontë: Ka kërkuar që ky eksponent ta pyesë shefin e tij se si u zbulua duke shkuar për të takuar dy spiunë serbë! Kuptohet lehtë se shefi duhet të jetë Albin Kurti, as më pak, as më shumë, kryeministri i sotëm i Republikës së Kosovës! Pra sipas ish-kryeministrit të mëparshëm, kryeministri i sotëm paska lidhje me shërbimin sekret të Serbisë. Më parë zoti Haradinaj e ka pyetur zotin Kurti me alegorizëm se “Si qe e mundur që i shpëtoi strkturave të sigurisë serbe në burgun e Dubravës e atë të Nishit?! Këtë pyetje e kam konsideruar asokohe si jo racionale dhe jologjike. Sepse nuk përbën argument për të dyshuar në personalitetin e zootit Kurti.

Shfaqje të tilla në debatin dhe konfliktin politik në Kosovë dhe sidomos në Shqipëri, por edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Luginës apo Malit të Zi, ka me shumicë. Kur mungojnë alternativat, projektet, programet, idetë dhe vizioni për shtetin dhe për vendin, gjithmonë dalin në dritë aludime, spekullime dhe idiotësi të pafund. Por kur ke qenë kryeministër a president, ose kur je kryeministër apo president, ke përgjegjësi shumë më të madhe sesa në rastet e tjera. Ta akuzosh një kryeministër në detyrë për lidhje me shërbimin sekret të vendit armik, është aventurë, nëse nuk ke argumente, fakte dhe prova. Por nëse këto i disponon, atëherë nuk ka nevojë për deklarime. Kosova është republikë parlamentare dhe ka mekanizma me të cilat mund ta sqarosh pozicionin e kryeministrit. 

Gjuha e tillë e ngre temperaturën politike në Kosovë në nivele të shpërthimit politik. Prandaj dhe nga kjo pikëpamje duhet patur kujdes shumë i madh. Akuzat politike për krerët e shtetit janë e duhet të jenë të peshuara, të matura, jashtë emocioneve politike dhe të pandikuara nga interesa të ngushta vetjake. Nëse dikush kopjon Sali Berishën, mund të sqaroj se ai akuzat e tij i ka rendit të konkretizuara, me fakte dhe prova për çdo rast, edhe kur është vënë nën akuzë vetë kryeministri Rama. Unë jam në dijeni të faktit se Doktor Berisha publikon akuza, për të cilat ka një numër pa fund provash dhe faktesh. Ndaj dhe asnjëherë nuk është denoncuar në organet e drejtësisë për shpifje apo fyerje. Në fund të fundit akuzat e zotit Berisha kanë të bëjnë me lidhjet me mafien dhe krimin e organizuar. Jo për shërbime ndaj policisë sekrete të ndonjë vendi armik.

Por mesa duket zoti Haradinaj kërkon të bëhet interesant me akuza që miklojnë dhe bëjnë përshtypje në opinionin publik. Dhe përpiqet gjithashtu që të lajë duart nga rastet e çokat e bashkëpunimit të tij me Radoiçiq, në emër të marrëdhënieve politike me Listën Srpska. Por kjo gjuhë nuk duhet të përdoret. Ose do të duhet të japësh prova dhe fakte e me to të njohësh publikun, ose duhet të heshtësh, kur është fjala për të tilla akuza. Ka edhe një rrugë tjetër, hetim parlamentar. Po ashtu edhe një tjetër – dorëzimin e provave dhe fakteve në organet e drejtësisë. Ndryshe bëhesh ose qesharak, ose destruktiv.

Ndërkaq zoti Kurti është kritikuar ashpër nga opozitarët për ndikimin që kanë te ai eksponentë të caktuar të Vetëvendosjes. Eshtë e natyrshme që kreu i një force politike të ketë bashkëpunëtorë e të besojë ose jo te ata. Por do të duhet edhe më shumë transparencë nga ana e tij për këto marrëdhënie. Më shumë arsyetim dhe shpjegime për publikun. Derisa opozita shqetësohet për diçka, është detyrë e mazhorancës të bëjë transparencën në përgjigje të shqetësimit të saj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *