Protesta e opozitës e zhvilluar një natë më parë para Kryeministrisë në Tiranë ka marrë jehonë edhe në median ndërkombëtare “Al Jazeera”.

Sipas raportimit, policia shqiptare përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa demonstruesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas një skandali të madh korrupsioni të pretenduar nga opozita.

Gjatë protestës pati tensione, ku një pjesë e protestuesve hodhën kokteje molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës. Përplasje u shënuan edhe pranë ndërtesës së Parlamentit, pasi turma u zhvendos drejt asaj zone.

Nga incidentet, të paktën 16 persona mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital, ndërsa disa të tjerë u arrestuan në vendngjarje.

“Al Jazeera” thekson gjithashtu se protesta është pjesë e një serie demonstratash antiqeveritare që janë zhvilluar në Shqipëri gjatë muajve të fundit, në një klimë të rritjes së pakënaqësisë politike.

Pakënaqësitë janë shtuar që prej nëntorit, kur prokurorët pretenduan se zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, kishte ndërhyrë në procedurat e prokurimit të disa kontratave ndërtimi. Ajo u pezullua përkohësisht nga detyra, por u rikthye në detyrë muajin pasardhës me kërkesë të kryeministrit Rama.

Gjatë protestës, demonstruesit kërkuan largimin si të Ramës ashtu edhe të Ballukut, si dhe pezullimin e imunitetit parlamentar të kësaj të fundit për t’u përballur me ndjekje penale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *