ALBATROSI

Përktheu Dritan Thomollari

Shpesh, marinarët për tu zbavitur kapin,

Albatrosët, k’ta zogj viganë që mes kthetrave,

Moskokëçarës u ngjiten anijeve që shkasin,

Përmes thellësive të hidhura të detrave.

Ky sovran i kaltërsisë, pas kuvertës ngjitur,

Si i zënë ngushtë nga pamundësitë e tij,

Mjerisht krahët e bardhë i lë të zvarritur,

Si një çift rremash të vozitura me ngadalësi.

K’tij udhëtari të plogët, ngordhalaq, qesharak!

Të shëmtuar, po dikur aq të bukur në k’të bot’!

Një marinar sqepin me çibuk ia përflak,

Tjetri shpotinë ia jep sakatit që s’fulturon dot,

Kështu është edhe poeti, ky princ resh,

Që me harkëtarët qesh e mes stuhive vërtitet,

Po i mërguar në tokë, me thumbimin i rënë ndesh,

Ashtu i penguar nga krahët e gjatë, mezi çapitet

ALBATROSI

Përktheu Ismail Kadare

Shpesh marinarët marrin për zbavitje

Me vete albatrosët, zogjtë fisnikë

Që ngathtësisht mbi det ndjekin anijen

Tek shket mbi gropa, përmbi hone ik.

Të lënë mbi kuvertë, këta princa

Të kaltërsisë, si leshko janë tani

Mjerueshëm varin ata krahë të bardhë

Si rremat e braktisura përbri.

Ky udhëtar me flatra ç’qulls që ngjan,

Ç’i bukur ish, ç’komik duket, i keq.

Dikush ia tall ecjen e tij të çalë.

Një tjetër sqepin me çakmak ia djeg.

Kështu dhe ti, poet, princ resh të larta

Që mbi stuhitë zotëron e qesh,

Porsa të zbresin nëpër tokë e baltra,

Krahët viganë të pengojnë t’ecsh.

ALBATROSI

Përktheu Mensur Raifi

Marinarët n’anije shpeshher; sa për shaka

Gjuajnë albatrosë, shpeza shumë të mëdha

Bashkudhtarë të plogësht që fluturojnë mbi det

Mbi anije që sipër gremin’ve t’njelmëta shket

Posa ti vendosin në dërrasa të mundur,

Këta mbretër t’kaltrisë të ngathtë e t’përunjur

Të ndjellin mëshirë me ata krahë mbërthyer

Të mëdhenj e të bardhë sikur rrema të thyer.

Ky udhëtar krahgjatë sa është i pagjallëri!

I bukur ka qenë, tani gaz i botës, shëmti

Njëri ia ngacmon sqepin, për t’qeshur me çibuk

Tjetri e imiton, e tall, e përqesh e ç’nuk!

Poeti i ngjan k’tij princi të madh të reve

S’e tremb dot studhia aq qitësi i shpezëve;

Syrgjynosur në tokë, n’bisht të shpotisë ngeci

Krahët e tij viganë e pengojnë të eci.

ALBATROSI

Përktheu Mihal Hanxhari

Her; – herë për t’u dëfryer djelmoshat marinarë

Zënë albatrosë, shpend deti madhështorë,

Që me nge anije si shokë bashkëudhëtarë

U ven pas përtej drejt honeve mizorë.

Në kuvertë me t’i lëshuar mbi dhogat këta të gjorë,

Që mbretër qenë n’azur, të ngathët ngjajnë’ qyqarë,

Lëshojnë si për vajtim të bardhët krahëdëborë,

Ashtu porsi dy rrema që anash hiqen zvarrë.

Ky shtegëtar me fletë se ku e zolli zija!

Plot nur, krenar dikur, sa duket i shëmtuar!

Njëri e nget me llullë, i bie sqepit të tija,

Tjetri e imiton, e tall duke çaluar!

POETI është ky princ, i hapësirave qiellore

Që shokë ka stuhitë, shigjetat s’e friksojnë,

Por në këtë tokë mërguar mes turmave njerëzore

Krahët e tij viganë të ecë e pengojnë

ALBATROSI

Përktheu Kristaq Jorgo

Të vjetrit marinarë, sa shpesh, për argëtim

Marrin albatrosë, të deteve zogj krahgjerë,

Që ndjekin posi shokë të mefshtë në udhëtim

Anijen teksa shket përmbi humnera terr.

E sápo në kuvertë shkujdesur i lënë varg,

Këta të qiejve mbretër, t’squllët e n’hutí

Varin për t’u dhimbë t’pamatët krahë të bardhë

Njëjtë posi lopatat që shkrehur janë përbrí.

Ky udhëtar me krahë, sa ësht’ i ngathtë, hutak!

M’i bukuri dikur, shëmtuar tash, i shkret!

Ia trazon njëri sqepin me çibukun flakë,

Tjetri-e qesh, tue çalu, at’ që qiejve shket!

Poeti sa-i ngjashëm me këtë princ ndër ré:

Shpërfillës ndaj stuhisë, aj çdo harktar e ngec;

Mërguar përmbi tokë në mes të talljevé,

Të tijat krahë gjigandë s’e lënë dot të ec’.

ZGALEMI* – Përktheu Primo Shllaku

Shpesh, për t’u zbavitë, njerëzit e ekuipazhit

i kapin zgalemët, kta shpend të mëdhej detarë,

që si shokë udhtimi përtueshëm mbase i shkojnë

anijes që rrëshqet mbi humnerat llahtarë

Sapo t’i venë mbi dërrasa të kuvertës

kta mbretën të qiellit, qyqarë e të ndrojtun,

i zhgërryejnë – me t’ardhë keq –krahët e bardhë

si rrema barke trupit përanë.

Ky shtegtar me flatra sa krahthatë që duket,

ai i buk’ri dikur, tash qesharak e mjeran.

Dikush me çibuk sqepin ia ngacmon

E tjetri çalon n’mahi të fluturakut.

Poeti i përngjet princit të reve

Që s’pyet për shtrëngatën e tallet me harktarin;

I mërguem mbo tokë mes vigmës së turmave

Krahët prej vigani e pengojmë për me ecë.

*Albatrosi

ALBATROSI

Përktheu Romeo Çollaku

Me vete, për zbavitje, detarët kanë zakon

do albatrosë të marrin, zogj detesh, madhështorë,

që, teksa çan tallazet rrëshqanthi hon më hon,

anijen ndjekin mbrapa të plogësht e të gjorë.

Mbi dhogat e kuvertës, braktisur në një qoshe,

të kaltërsive mbretër, lëvizin me të keq,

përvajshëm i zvarritin gjithë turp flatrat bardhoshe

të ngjashme me dy rrema që varka i tërheq.

Ky shtegtar flatrashkruar humbur ç’e ka pusullën!

Sa ç’qe dikur i hijshëm, u katandis avdall!

Dikush, për ta bezdisur, te sqepi ia qas llullën,

ulok’n, që merrte qiejt, çalthi dikush e tall.

Porsi ky princ i reve, njëlloj edhe Poeti,

që i shpërfill shigjetat dhe pezmin e rrufesë,

por, dherash i degdisur, ku e përçmon rrëmeti,

të madhërishmet flatra në ecje ka pengesë.

ALBATROSI

Përktheu Yzedin Hima

Në lundrime të gjata mes honesh plot llahtarë,

Detarët shpesh herë thjesht për t’u zbavitur

Kapin albatrosë, madhështorë zogj të detit

Shokë t’i kenë në udhëtimet e tyre të pafund …

Dhe i lenë aty të lidhur keqas mbi kuvertë,

Këta mbretër kaltërsish ligsht katandisur,

Lolo krahëvarur vajtueshëm hequr zvarrë,

Çalashë ngofje dalë mbi dërrasa lemerisur.

Sa tuaf e qesharak ky shpend i lartësive !

Sa komik e shëmtaq ai i bukuri i qiejve !

Ca e godasin sqepit me çibuk e plasin gaz,

Të tjerë si të çalë tallen me të ngratin fluturak !

Kështu dhe Poeti ngjan me këtë princ të reve

Që endet mes stuhish e qesh me shkreptima;

Mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore,

Me krahë madhështorë që dot s’marrin fluturim.

CHARLES BAUDELAIRE

L’ALBATROS

Souvent, pour s’amuser, les hommes d’équipage

Prennent des albatros, vastes oiseaux des mers,

Qui suivent, indolents compagnons de voyage,

Le navire glissant sur les gouffres amers.

A peine les ont-ils déposés sur les planches,

Que ces rois de l’azur, maladroits et honteux,

Laissent piteusement leurs grandes ailes blanches

Comme des avirons traîner à côté d’eux.

Ce voyageur ailé, comme il est gauche et veule !

Lui, naguère si beau, qu’il est comique et laid !

L’un agace son bec avec un brûle-gueule,

L’autre mime, en boitant, l’infirme qui volait !

Le Poète est semblable au prince des nuées

Qui hante la tempête et se rit de l’archer ;

Exilé sur le sol au milieu des huées,

Ses ailes de géant l’empêchent de marcher.

*Renditja sipas rendit alfabetik të përkthyesve. Lista e përkthimeve është e hapur për t’u plotësuar me variante të tjera. Mblodhi: Granit Zela.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *