Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e poetit, gazetarit dhe publicistit të njohur Rushit Ramabaja, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.
Në një mesazh ngushëllimi, Kurti vlerësoi kontributin shumëdimensional të Ramabajës në kulturën, letërsinë dhe gazetarinë kosovare, duke theksuar se ai do të mbetet një emër i veçantë në historinë kulturore të vendit.
Rushit Ramabaja lindi më 20 nëntor 1948, në fshatin Marec të Prishtinës. Që nga fillimi i viteve ’70, ai ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në gazetën e përditshme “Rilindja”, ku punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës nga viti 1972 deri më 2001. Pas çlirimit të Kosovës, ai vazhdoi angazhimin e tij në fushën e radiogazetarisë, duke punuar në Radio Kosova.
Në vitin 2018, Ramabaja u nderua me Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, si vlerësim për kontributin e tij të çmuar ndër vite.
Vepra letrare dhe publicistike e Rushit Ramabajës përfshin mbi 20 libra, mes tyre romane, vëllime poetike dhe drama. Ndër veprat më të njohura përmenden “Mareci i Shpresës së Mirë…”, “Kangjella e Damastionit”, “Një gomar në Parlament”, “Gruaja e Jezusit”, si dhe vëllimi poetik dygjuhësh “Euridika në mollën e ndaluar”. Një vend të veçantë zë edhe vepra “Pema e misterit”, të cilën ai ia kishte kushtuar Jusuf Gërvallës dhe shokëve të tij të ndjerë.
“Sipas veprës së tij letrare dhe karrierës së gjatë si gazetar, Rushit Ramabaja do të kujtohet si një nga shkrimtarët dhe gazetarët më autentikë të Kosovës”, theksohet në mesazhin e kryeministrit Kurti.
Në fund, Albin Kurti u shprehu ngushëllime familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, duke nënvizuar se trashëgimia e shkruar dhe shembulli i jetës së Rushit Ramabajës do të jetojnë gjatë mes brezave.

