Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha për “KosovaPress” se Gjykata Speciale nuk mund të funksionojë e pavarur nga shteti i Kosovës, përderisa është votuar nga parlamenti i këtij shteti.
Haxhiu nënvizoi se çdo parregullsi e kësaj gjykate është pasojë e mungesës së një kuadri ligjor që e vendos këtë institucion para llogaridhënies ndaj shtetit të Kosovës.
Ajo paralajmëroi ngritjen e një mekanizmi kontrolli për këtë gjykatë nën juridiksionin e shtetit të Kosovës.
“Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj, derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues, mendoj se duhet ta diskutojmë sërish.
Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyr të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera që lidhen me punën e gjykatës. Mendoj se institucionet, të cilat nuk kanë mbikëqyrje nga askush, janë shumë problematike. Është e paprecedent mënyra se si është themeluar, është e paprecedent mënyra se si nuk i jep llogari askujt. Prandaj, natyrisht që duhet Kuvendi i Republikës së Kosovës ta gjejë një zgjidhje. Megjithatë, mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por të paktën të ketë një mekanizëm që e ka përsipër këtë,” ka deklaruar Haxhiu.