Një incident i rëndë ka tronditur Fushë Kosovën, ku një grua është plagosur rëndë nga burri i saj.
Mbi këtë ngjarje ka reaguar dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila me anë të një statusi në rrjete sociale është shprehur se kjo ngjarje dëshmon dhe një herë thetër dështimin e institucioneve të drejtësisë.
Statusi i Haxhiut:
Një grua në Fushë Kosovë e plagosur nga burri i saj vazhdon trajtimin në Qendrën Emergjente. Lutem për shëndetin e saj dhe i uroj shërim të shpejtë.
Sipas informacioneve që kemi, personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje por ishte liruar anipse ishte recidivist dhe sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij.
Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori. Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij. Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve.
Në vazhdimësi kemi theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo arrestuar për dhunë më herët. Kësisoj, është e pafalshme neglizhenca dhe mosdënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve.
Secila grua, secili qytetar duhet të ndihet i fuqishëm kur denoncon dhunën në shtet. Aty është adresa ku përfundon dhuna dhe nis drejtësia dhe jo vatra e përshkallëzimit të dhunës.