Nga Arilda Lleshi
Së pari, ajo na bën të gjithëve më të pasigurtë. Ajo po merr jetë njerëzish të pafajshëm. Kush do jetë qytetari i rradhës që do ndodhet rastësisht aty në momentin e një atentati? Mund të jetë secili prej nesh.
Së dyti, ajo na bën të gjithëve më të varfër. Grupet kriminale në Shqipëri nuk janë vetëm grupe vrasësish. Ato janë grupe me burime dhe aktivitet ekonomik. Ato nuk bëjnë biznes përmes talentit e punës së ndershme, por përmes dhunës dhe imponimit. Ato marrin tendera e burimeve të tjera nga shteti, duke i përdorur këto burime në mënyrë jo produktive dhe duke jua hequr këto burime të tjerëve. Ata dëmtojnë bizneset private duke vënë gjoba, duke uzurpuar prona, duke kontrolluar në mënyrë të dhunshme aktivitete të caktuara. Ata pastrojnë paratë e tyre në ekonominë tonë, kryesisht përmes industrisë së ndërtimit. Kanalizimi i parave në këtë drejtim është jo produktiv për ekonominë. Kështu, në mënyrë artificiale, fryhet një industri që nuk i përgjigjet një nevoje reale për më shumë banesa, e që rrjedhimisht i bën çmimet e banesave të papërballueshme për pjesën tjetër të shoqërisë që punon me ndershmëri e nuk është pjesë e kësaj çorbe ekonomike. Në këto e shumë mënyra të tjera, ata krijojnë tregun e tyre me rregullat e tyre, më saktë xhunglën e tyre, që s’ka të bëjë me tregun e lirë. Institucionet ligjzbatuese që duhet të parandalonin fenomene të tilla shpesh punojnë për krimin.
Së treti, ajo na bën të gjithëve më pak të lirë. Aty ku dhuna është sistemike, liri nuk ka. Një qytetar që paguan gjobë të një kriminel është krejtësisht i robëruar, pse shteti që e paguan ta mbrojë bashkëpunon me dhunuesin e tij. Çfarë padrejtësie e madhe të ngresh një biznes me shumë mund e të të vijë një barbar ta vjedhë punën tënde, veç pse psikopati nuk e ka për gjë jetën tënde dhe shteti i mallkuar s’të mbron dot. Ose imagjino të jesh një qytetar që kërcënohesh nga bandat për të votuar për partinë e bandës ose për të heshtur ndaj padrejtësive të kësaj partie. Ose imagjino të jesh një qytetar që jeton në të njejtin qytet me këta njerëz. Ata nuk janë njerëz të zakonshëm. Të duhet të mendohesh dy herë para se t’u flasësh. Toni, fjalët që përdor mund të mos u pëlqejnë. Duhet të jesh i kujdesshëm kur ju përmend emrin, me kë flet etj etj. Në fund të ditës, ata kanë një pushtet total mbi ty, sepse ata nuk e kanë pikë problemi të ta marrin jetën. E këtu liri nuk ka.
Së katërti, ajo na bën të gjithëve më të dhunshëm. Dhuna prodhon dhunë. Imagjinoni në çfarë presioni shoqëror rriten djemtë tanë. Modeli i tyre është dhuna, shoqëria e tyre është dhuna. Kur kaloj pranë gjimnazit Hydajet Lezha, mendimi i parë që më vjen në mendje është: këta djem nuk duken si nxënës shkolle. Nuk i sheh të zhytur në mendime apo duke diskutuar për ndonjë temë shkollore, me ndonjë libër në dorë apo instrument muzikor. Zakonisht nuk kanë as çanta. Ata kanë një fjalor të dhunshëm, nuk ndjekin mësimin, shkojnë me mjete të ftohta në shkollë, përdorin drogë. Ata duken si kontingjent krimi. Nëse i pyet çfarë duan të bëjnë me jetën e tyre, të thonë se duan të shkojnë jashtë. Nënkuptohet se duan t’i futen trafikut të drogës ose ndonjë aktiviteti tjetër kriminal.
Teksa bota është në prag të një revolucioni tjetër digjital dhe ka nevojë për rini ambicioze e inovuese, rinia jonë akoma e sheh të ardhmen te krimi. Në vend që shembujt e tyre të jenë krijuesit e Microsoft, Google, ChatGPT, ata akoma kanë si model Pablo Escobar.