Nga Enver Bytyçi
Prej ditësh kundërshtarët e kryeministrit të Kosovës kanë dhënë alarmin. “Po u hap ura do të bëhet kataklizma! Do të ketë sulme terroriste! Terroristët serbë të stërvitur në kampe në territorin e Serbisë do të kryejn akte dhune! Serbët në veri do të ngrenë barrikada! KFOR-i do të marrë kontrollin e territorit në veri të Kosovës”! e plot parashikime ogurzeza, të cilat janë hipoteza, por jo të vërtetuara. Këtyre kundështarëve të hapjes së Urës së Ibrit për shkak të armiqësisë me Kurtin brenda Kosovës u shtohen vazhdimisht ata të Shqipërisë e deri diku te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në Shqipëri, nëse dëgjon lajmet e KLAN TV, TOP-it , Report TV, ABC, Klan News, Klan Plus etj, duket sikur në Kosovë ka plasë lufta gjatë monitorimit të urës për testimin e saj. Tre protestues serbë që shihen në ekran, propagandohen me fjali: “Serbët kundërshtojnë hapjen e urës”! Serbët u përleshën me policinë e Kosovës”! Lloj-lloj fjalish patetike anti-shqiptare përdoren, vetëm që të krijohet përshtypja se “Albin Kurti po gabon”!
Kësaj stuhie kundër qeverisë Kurti i shtohen më pas reagimet e ndërkombëtarëve. Stano është zëdhënës i Borrell në Bruksel dhe del e thotë se “BE mund të shtojë masat e sanksioneve kundër Kosovës”! Ndërkohë logjika të thotë se në Europë nuk mund të ketë politikanë që kundërshtojnë, aq më pak të vendosin sanksione, për hapje urash për komunikimin njerëzor! Por nuk është ky rasti. Edhe Stano e Stanot e tjerë të huaj jashtë e brenda Prishtinës kanë vënë alarmin: Pa ne mos e hapni urën se do ketë pasoja! Kjo është fabula e ndërkombëtarëve.
Në këto kushte hapja e urës së Ibrit nga një rit i zakonshëm kthehet në një sfidë për qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës. Albin Kurtit i japin rolin e Gjergj Elez Alisë, sikur për hapjen e një ure, që mund të ndodhë krejt natyrshëm, po lufton me ciklopët e detit e përtej detit. Në fakt nuk është ashtu. Por duke e dramatizuar situatën, duke i dhënë aktit ngjyra tragjizmi, njerëzit e përcepptojnë kryeministrin Kurti si një person “Mbinjeri”! Ej! Sa i fuqishëm është ky Albini?! Të gjithë i ka kundër dhe po ia arrin ta bëjë të vetën”!
Kjo lojë po krijon mitin Kurti! Po krijon mbipolitikanin! Të jashtëzakonshmin! Dhe elektoralisht kryeministrit Kurti i intereson shumë zhurma kundër aktit të tij për hapjen e Urës së Ibrit. Përveçse rastit të Banjskës, ku dhe kur policia e Kosovës e bashkë me të edhe qeveria e vendit kanë merita reale, të gjitha aksionet e tjera të Kurtit për të shtrirë sovranitetin e tij në veri të Kosovës, janë fry, janë ngritur në kult nga kundërshtarët politikë e mediatikë të Albin Kurtit. Njëjtë si në rastin kur Richard Grennell, së bashku me Agim Veliun e Hashim Thaçin e rrëzuan nga pushteti. Në vend ta groposnin, e lartësuan dyfish.
Tani Kurti ka shansin t’i gëzohet pa masë opozitarizmit politik e mediatik në Kosovë. Po ashtu reagimeve kundër tij të ambasadorit amerikan apo të zëdhënësit të Brukselit, Stano. Pse mos t’u gëzohet këtyre kundërshtive! Sa më të fuqishme kundërshtitë, sa më të zhurmshëm zërat kundër, aq më i fuqishëm shfaqet Albin Kurti te fansat dhe mbështetësit e tij dhe aq më shumë i shtohen ata. Kurti nuk ka nevojë për lëvdatat e opizitarëve dhe kundërshtarëve të tij për të shtuar mbështetjen popullore në Kosovë. Përkundrazi, i duhet pikërisht qasja që po e shohim tani për këtë.
Mbas disa javësh nuk do të flitet më për urën e hapjen e saj, sepse lëvizja përmes saj do të duket diçka e natyrshme, krejt e zakontë, si një herë e një kohë, në vitet 1970-1980! Dhe pikësrisht në këto momente njerëzia do të thonë: “Bravo i qoftë Kurtit! Të gjithë i thanë, jo mos e hap urën dhe ai e hapi! Tani shih si po ecim lirshëm me vetura e me kamionë në këtë urë”! Siç kanë filluar të thonë për targat, për dinarin, për dokumentet, për mbylljen e qendrave postare e me radhë. Çfarë ndodhi? Asgjë! Pse e kundërshtuan? Kot! Sa për ta denigruar kryeministrin! Atëherë ky i sfidon të gjithë! Ky është më i zoti plus më i pakorruptuari në Kosovë! Mjafton këto dy mite dhe në zgjedhjet e ardhshme Albin Kurti t’i forcojë edhe më shumë pozitat e tij në pushtet!