Mediat në Itali raportojnë se Igli Tare e ka nisur punën duke e bindur Masimiliano Alegrin të rikthehet pas disa vitesh.
Mësohet se trajneri livornez ka dhënë miratimin e tij për të drejtuar sërish kuqezinjtë, me të cilët arriti të shpallet edhe kampion i Serisë A.
Alegri shkëlqeu edhe në drejtimin e Juventusit, ku, krahas dominimit në Itali, arriti të luante edhe dy finale në Ligën e Kampionëve.
Alegri është pa ekip që nga largimi nga Juventusi, ndërsa për të pati oferta të larta financiare edhe nga klube saudite, të cilat trajneri i refuzoi.
Masimiliano Alegri shihet si njeriu i duhur për të rinisur një tjetër cikël të lavdishëm me Milanin.
Tekniku pritet të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi.