Nga Frank Shkreli
Aleksandër Xhuvani është cilësuar në një shkrim të revistës Shejzat (IV-1960), me rastin e 80-vjetorit të kalimit të tij në amshim, si arsimtari më i vjetër i Shqipërisë, më i vjetri emër, përfaqësues i një brezi arsimtarësh të Kombit. Në atë shkrim kushtuar veteranit të arsimit shqip thuhet se emri i Xhuvanit është i lidhur ngusht me historinë e arsimimit shqip, që nga nëntori i vitit 1909, madje edhe para se të bëhej Shqipëria e pavarur — kur hapi dyertë për herë të parë Shkolla Normale e Elbasanit. Fillimisht, Xhuvani zhvilloi aty veprimtarinë e tij nën udhëheqjen e Luigj Gurakuqit dhe pastaj për 20-vjetë si drejtues dhe mësimdhënës i shqipes dhe pedagogjisë. Aleksandër Xhuvani ka dhënë gjithashtu një kontribut të vyer edhe në fushën e publicistikës së kohës me artikuj e subjekte të fushave të ndryshme, botuar, fillimisht, në revistën “Albania” të Konicës dhe në revista të tjera të kohës, brenda dhe jashtë Atdheut. Ka bashkpunuar edhe në inspektoriatin e lartë të arsimit gjatë viteve 1940-44, që do të thotë se edhe ai duhet të ketë influencuar përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, në bashkpunim me Ministrin e atëhershëm të Arsimit të Shqupërisë, Ernest Koliqin me shokë.
Por, në përpjekjet e mia, tashti në pension, për të mësuar sa më shumë mbi personalitetet historike shqiptare që kanë lenë gjurmë në historinë kombëtare, isha duke lexuar për Aleksandër Xhuvanin — pë të cilin dija pak ose aspak, duke qenë jashtë atdheut për më shumë se një gjysëm shekulli. Kështu, hasa në një fjalim që Aleksandër Xhuvani kishte mbajtur me rastin e shkuarjes në amshim të At Gjergj Fishtë, mbajtur në ceremoninë e varrimit në Shkodër, një fjalim ndër më prekësit që kam lexuar dhe që tregon jo vetëm se ç’mendonte Aleksandër Xhuvani për veprën e At Gjergj Fishtës, por fjalët e tija pasqyrojnë edhe faktin se kush ishte vërtetë Xhuvani vet dhe cilat ishin mendimet e tija për të ardhmen e Kombit dhe për vlerat e kontributet e personaliteteve më të shquara të Kombit, siç është At Gjergj Fishta: të zhdukura, të përjashtuara dhe të distancuara e të anashkaluara. Veprat e tyre të shkelura e të harruara e të përbuzura plot urrejtje, zyrtarisht, nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli, por edhe sot nga “Shqipëria demokratike”, gjoja “post-komuniste”! Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa.
Për fat të keq, ujku mund të ketë ndërruar qimen por jo veset…Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i patriotizmit”, të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës. Ndoshta është naïve, e pamundur dhe e pa shpresë që të presim nga ata që ende sot mbrojnë trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri — pikërisht, nga këta të cilët kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar dhe fyejnë dinjitetin dhe krenarinë kombëtare që të nderojnë At Gjergj Fishtën Fishtës, megjithëse “nji far i math dritëdhanës që ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali, ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”, siç është shprehur për Fishtën, Aleksandër Xhuvani, arsimtari më i vjetër i brezave.
Ky fjalim i Aleksandër Xhuvanit, më duket mua, se hynë ndër fjalimet më klasike për nga rëndësia dhe për nga frymëzimi, ndoshta jo për këtë brezin e indoktrinuar me ideologjinë sllavo-komuniste. Por, sigurisht, për brezin aktual dhe për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve që do e dashurojnë Atdheun siç e dashuronte Fishta dhe të respektojnë atë siç e respektonte dhe e nderonte Aleksandër Xhuvani dhe shumë të tjerë, bashk-kohas të tij.
“Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. sht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”
(Aleksandër Xhuvani në Varrimin e At Gjergj Fishtës – Elbasani) — Ja gjykoni vet fjalimin e plotë të Aleksandër Xhuvanit mbajtur në ceremoninë e varrimit të At Gjergj Fishtës në Shkodër, 31 Dhjetor, 1940:
“Zotnij të ndershëm:
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.
E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.
Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.
Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.
Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. sht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.
Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në këtë dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.”
(Shkodër, 31 dhjetor 1940, Aleksandër Xhuvani).
Nga ceremonia e varrimit të françeskanit shqiptar dhe poetit të Kombit, At Gjergj Fishta, 31, Dhjetor, 1940 – Ditën kur ka mbajtur fjalimin e më sipërm, Aleksandër Xhuvani.
Ka kohë që e them, gjatë kësaj periudhe të stërgjatur të ashtuquajturit “tranzion” në vendnumro, prej më shumë se tre dekadash nga shembja e Murit të Berlinit, se kështjella e vlerave kombëtare të shqiptarëve është e tronditur në themel nga trashëgimia e diktaturës komuniste. Si rrjedhim i farës së atij regjimi në nivelet më të larta vendimarrse të shtetit e të kulturës shqiptare, çdo ditë jemi dëshmitarë disfatash kombëtare, sa që sot më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë pë Zotin dhe për Kombin: At Gjergj Fishtën, që Aleksandër Xhuvani e kishte cilësuar, “nji far i math dritëdhanës që ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë”, sipas Xhuvanit.
Xhuvani kishte të drejtë në parashikimin e tij. Ja një pjesëtar i asaj “djelmënie” shqiptare të kësaj breznie të pas shembjes së komunizmit ndërkombëtar që na jep shpresë – shpresojmë të ndriçuar nga mendja dhe zemra prej veprave dhe kontributeve historike të At Gjergj Fishtës — Edison Selmani, student i talentuar i artit dhe skulpturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka përzgjedhur të realizojë, pikërisht, shtatoren e Gjergj Fishtës, si temë diplome, që është në përfundim e sipër dhe që sipas portalit të skulptorit të ri shqiptar, pritet që shtatorja e At Gjergj Fishtës të inaugurohet së shpejti në Akademinë e Arteve në Tiranë.
At Gjergj Fishta – As varri nuk i dihet, as eshtrat nuk iu gjetën,
por Lahuta nuk heshti!
“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní!
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera.
E me dije e me Lirí
për jetë t’ jetës, të rrnoftë tý ndera.”
At Gjergj Fishta
“Edhè hâna do ta dijë,
edhè dielli do t’két pá,
se për qark ksaj rrokullije,
si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”
At Gjergj Fishta