Botuar në “Gazetën Elbasani”, viti 1923
Përgatiti për botim: Agim Morina
“Dialekti i Elbasanit”
Urdhrin e Kryeministrisë për t’u përdorur dialekti i Elbasanit në shkresat zyrtare e gjejmë të drejtë dhe të arsyeshëm. Ky vendim i Kryeministrisë nuk është një gjë arbitrare e pa vend, por një hap që vërteton dhe shtie në veprim shumë vendime të mëparshme të marra prej kongreseve të ndryshme që janë mbledhur në kohë të Turqisë për të rregulluar çështjet e gjuhës dhe të arsimit tonë.
Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 1909 dhe i marrë prapë me çështje arsimi dhe gjuhe, u përpoq dhe u bashkua në një pikë për çështjen e gjuhës: në përdorimin e të folmes së Elbasanit si gjuhë shkrimi të përbashkët. Ky vendim i këtyre dy kongreseve u përtëri dhe u vërtetua edhe në kohën e pushtimit austriak, kur u themelua në Shkodër Komisia Letrare për zhvillimin dhe përmirësimin e gjuhës dhe të letërsisë sonë. Edhe ajo Komisi pranoi atëherë si themel të një gjuhe të përbashkët dialektin e Elbasanit.
Veç këtyre, shumica e dijetarëve dhe e albanologëve janë gjithashtu të këtij mendimi: që dialekti i Elbasanit të merret si bazë për një gjuhë shkrimi – por, natyrisht, i përmirësuar dhe i pastruar. Në një promemorie që bëri në kohën e Austrisë profesori Nachtigall, i cili, bashkë me doktor Pekmezin dhe me Atë Ndre Mjedën, u dërgua atëherë prej komandës ushtarake në Elbasan për të studiuar gjuhën, ky dialekt porositej dhe këshillohej për t’u marrë si bazë e shkrimit të gjuhës.
Arsyet që përmendte profesori Nachtigall në promemorien e tij për të mbështetur tezën e vet shkencore dhe gjuhësore, po i përmendim këtu vetëm një që dihet prej të gjithëve: që dialekti i Elbasanit është i kuptueshëm prej të dy kryefiseve shqiptare – prej toskëve dhe prej gegëve. Këtë e kanë konstatuar të gjithë ata që kanë pasur rastin të qëndrojnë pak kohë në Elbasan dhe të dëgjojnë të folmen e këtij qyteti.
Si fonetikisht, ashtu edhe morfologjikisht e sintaksisht, ky dialekt përmbledh elemente prej të dy dialekteve të tjera – prej gegnishtes së sipërme dhe prej toskërishtes – dhe është si një urë bashkimi mes këtyre dy dialekteve.
Por, sikurse ka ndodhur në gjuhët e tjera, kështu do të ngjajë edhe me dialektin në të cilin do të kullojnë dhe do të treten të gjitha të mirat e dialekteve të tjera, duke u njësuar ashpërsia e Veriut me butësinë e Jugut.
Pra, vendimi i Kryeministrisë, si kurorëzim i vendimeve dhe i dëshirave të mëparshme, është – siç thamë – i drejtë dhe i arsyeshëm…